Një terrorist që synonte të hidhte në erë një aeroplan amerikan duke përdorur një bombë inovative të fshehur te mbathjet e veta në fakt ka qenë një agjent i shërbimeve sekrete të Arabisë Saudite i infiltruar në një rrjet terrorist të Jemenit, degë e Al Kaidës. Agjenti doli vullnetar për të ekzekutuar hedhjen në erë të aeroplanit, por në fakt ky qe edhe fundi i misionit të tij si i infiltruar në rradhët e rrjetit terrorist pasi i dha shërbimeve sekrete të Arabisë Saudite dhe CIA-s informacion të vlefshëm për udhëheqësit e grupit terrorist dhe organizimin e tyre.
Identiteti i agjentit nuk bëhet i ditur, por zyrtarët amerikanë bëjnë të ditur se ka punuar për inteligjencën e Arabisë Saudite, e cila po bashkëpunon ngushtë me CIA-n në luftën kundër grupimeve terroriste të Jemenit. Agjenti ka vepruar në Jemen dhe CIA kishte të gjithë informacionin mbi aktivitetin e tij, ndonëse nuk qe drejtpërsëdrejti të varësinë e inteligjencës amerikane.
Pasi kaloi shumë javë në një nga degët më të rrezikshme të Al Kaedës, agjenti i dha informacione CIA-s dhe kjo e fundit kreu një sulm me avion pa pilot që solli vrasjen e një terroristi të shumëkërkuar, Fahd Mohammed Ahmed al-Quso, njeriu që dyshohet se ka organizuar bombardimin e një anijeje amerikane në Jemen në vitin 2000.
Agjenti dorëzoi edhe bombën që qe krijuar nga eksperti kryesor i grupimit terrorist, bombë që nuk kapet dot nga detektorët metalikë në aeroporte. Operacioni është mbajtur fillimisht i fshehtë nga zyrtarët pasi synohej mbrojtja e familjes së agjentit në Arabinë Saudite. 9 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)