Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e pazakontë që tronditi sot kryeqytetin, ku një automjet tip “Land Rover” u përfshi në një ndjekje të rrezikshme me policinë në zonën e Medresesë, duke përplasur makina policie dhe rrezikuar jetën e kalimtarëve.
Burime nga policia bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit, tashmë i arrestuar, është një 40-vjeçar që vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ai refuzoi të ndalonte në postbllokun policor dhe u përpoq të largohej me shpejtësi, duke shkaktuar kaos në rrugët e qytetit.
Ngjarja ka shkaktuar panik mes qytetarëve që ndodheshin në zonë, ndërsa policia arriti ta ndalojë pas një ndjekjeje intensive. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.
Ndaj 40-vjeçarit pritet të merren masa të posaçme, duke marrë parasysh gjendjen e tij shëndetësore, ndërkohë që ekspertët do të kryejnë vlerësimet përkatëse për vijimin e procedurave ligjore.
