Një raport i fundit mbi nivelin mesatar të inteligjencës globale për vitin 2025 ka renditur në krye të listës shtetasit e Hong Kongut, me një IQ mesatare prej 107.73. Pas tyre vijnë Koreja e Jugut me 106.97, Makao me 106.97, Kina me 106.48 dhe Japonia me 106.30.

Sipas këtij vlerësimi, Shqipëria pozicionohet në vendin e 22-të në rang botëror, me një nivel mesatar IQ prej 101.00. Në këtë renditje, shqiptarët lënë pas disa shtete europiane si Zvicra, Gjeorgjia, Holanda, Hungaria, Peruja dhe Italia, kjo e fundit me një mesatare prej 100.33.

Ndërkohë, disa vende të rajonit renditen më poshtë se Shqipëria. Serbia rezulton me një koeficient IQ prej 99.83, Greqia me 99.55, Maqedonia e Veriut me 98.88 dhe Mali i Zi me 98.43.

Raporti bazohet në të dhëna të mbledhura nga Testi Ndërkombëtar i IQ-së (IIT), ku mbi 1.3 milionë persona nga e gjithë bota kanë kryer të njëjtin test gjatë vitit 2024 përmes platformës online. Përveç kësaj, në vlerësim janë marrë në konsideratë edhe tregues të tjerë si rezultatet e testeve akademike, Indeksi i Kapitalit të Inteligjencës dhe performanca në programin OECD për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA).

Studime mbi inteligjencën kombëtare janë zhvilluar ndër vite edhe nga studiues si Richard Lynn dhe Tatu Vanhanen, të cilët kanë analizuar dallimet mes vendeve në bazë të të dhënave ndërkombëtare.