Spitalet publike, rajonale dhe bashkiake në vend po pasurojnë stafet e tyre me mjekë dhe infermierë të rinj, me synim forcimin e shërbimeve shëndetësore dhe plotësimin e nevojave në specialitete të ndryshme.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se tetë profesionistë të rinj i janë bashkuar stafit të Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.
Sipas ministrisë, angazhimi i profesionistëve të rinj u jep atyre mundësinë të fitojnë eksperiencë praktike dhe të përballen drejtpërdrejt me problematikat e pacientëve, duke u integruar njëkohësisht me stafet me eksperiencë.
Që prej rihapjes në vitin 2015 të programit të specializimeve afatgjata në mjekësi, është ndjekur një model për shpërndarjen e mjekëve në të gjithë territorin, duke synuar forcimin e shërbimeve edhe jashtë Tiranës.
Punësimi i profesionistëve të rinj është realizuar përmes portaleve “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”, të cilat ministria i cilëson si mekanizma transparentë dhe meritokratikë.
Sipas MShMS, përfshirja e mjekëve dhe infermierëve të rinj synon të plotësojë nevojat e spitaleve në specialitete të ndryshme dhe të përmirësojë ofrimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët.
