[callout]Dosja


Prokurat – Pesë nga subjektet, Mirjan Beneja ia ka shitur vetes së tij, ndërsa gjashtë subjektet e tjera i janë shitur shtetasit Gjergji Tupe


Verifikimet – Në të gjitha rastet e pagesave të bëra në bankat e nivelit të dytë për këto shoqëri është paraqitur i pandehuri Beneja, në një rast Tupe


Tërheqjet – Brenda një kohe të shkurtër nga kalimi i pagesave pranë bankave, janë bërë tërheqjet në para në dorë/cash të të gjitha shumave të rimbursuara


Ndarja – Këto para të tërhequra cash me qëllim moslënien e të dhënave në sistemin financiar janë ndarë ndërmjet të të gjithë të pandehurve[/callout]


Rimbursimi i TVSH-së


Nga qershori deri në tetor, i gjithë dëmi është tërhequr kesh nga të pandehurit


Drejtori – Pas një kontrolli në subjektet fiktive, me urdhër të drejtorit të Tatimeve të Tiranës, Ismail Muça, është bërë rimbursimi i të gjitha subjekteve


Kontrollorja – Të gjitha këto rimbursime, kanë kaluar nga dora e Afërdita Hysës, drejtoresha e kontrollit, e cila ka marrë raportet e përgjegjësit Laurent Vata


Sokol Çobo


Prokuroria Tirane (2)Gjashtë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të administratës tatimore të Tiranës dhe dy administratorë të shoqërive private janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës të përfshirë në një skemë mashtruese me rimbursimin e TVSH-së, duke i shkaktuar një dëm shtetit prej rreth 6 milionë eurosh. Hetimet e njësisë antikorrupsion, në bashkëpunim me administratën tatimore, zbuluan se zyrtarë të lartë të Tatimeve të Tiranës kanë dhënë për disa kompani në mënyrë të padrejtë vlerën e rimbursimit të TVSH-së (Tatimit mbi Vlerën e Shtuar), të cilat ekzistonin vetëm fiktivisht dhe nuk kishte asnjë lloj aktiviteti. Nën akuzë është vënë Ismail Muça, drejtori i Tatimeve të Tiranës, si dhe Afërdita Hysa, drejtore e Kontrollit te Tatimet e Tiranës. Prokuroria ka marrë të pandehur edhe Laurent Vatën, përgjegjës i sektorit të kontrollit, Edmond Osmani, Gramoz Milushi dhe Kujtim Metalia, inspektorë kontrolli. Dy personat e fundit të marrë të pandehur janë biznesmenët Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe. Këta persona akuzon për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, falsifikim të dokumenteve dhe pastrim parash.


 


Shoqëritë kineze


Sipas dosjes së prokurorisë, Drejtoria e Auditimit të Brendshëm pranë Ministrisë së Financave ka ushtruar kontroll mbi veprimtarinë e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve lidhur me procedurën e rimbursimit të TVSH-së për vitin 2013, gjatë të cilit ka konstatuar se ka pasur veprime të dyshimta nga ana e disa shoqërive tregtare dhe konkretisht 13 prej tyre janë aktivizuar, shitur, kontrolluar dhe kanë përfituar rimbursimin duke kërkuar më pas çregjistrimin brenda një periudhe disaditore. “Këto shoqëri janë firmat ‘SHENG- DA ANA’, “Ventura’, ‘Nam Kwong’, ‘Lumturia’, ,‘F&M Import Eksport’, ‘Arlindi Trade’, ‘XIAOS HOLDING’, ‘HUA HAI PAGING’, ‘GHRM GUANG’, ‘SUKSESI’ dhe ‘4 + M’, të cilat janë blerë me dokumentacion të falsifikuar nga i pandehuri Mirjan Beneja dhe gjashtë firma të tjera ‘Hong De’, ‘Tong Da Horizonti’, ‘Be-Ni-Sa’, ‘Asterix’, ‘Tai– Ping-Yong’, ‘Tirana HQ Import Eksport’, janë blerë nga i pandehuri Gjergji Tupe”, pohon akuza. Menjëherë pas blerjes së këtyre shoqërive dhe depozitimit të kontratave të shitjes për transferimin e kapitalit, përfaqësuesit e rinj të saj, Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe kanë bërë kërkesë për likuidimin e shoqërive pranë Administratës Tatimore Tiranë, duke filluar procedurat e çregjistrimit. Më pas, në përfundim të procedurave të kontrollit, sapo shoqëritë kanë marrë rimbursimin e TVSH-së kreditore të mbartur ndër vite në vlera të mëdha, kanë bërë çregjistrimin në organin tatimor rajonal, si dhe shpalljen e falimentit pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit pa kryer asnjë veprim tjetër.


“Të gjitha veprimet kanë ndodhur brenda periudhës janar–tetor 2013 dhe bazuar në kërkesën për çregjistrim, organi tatimor rajonal ka kryer veprimet e likuidimit të detyrimeve dypalëshe si rezultat i të cilave është dhënë edhe rimbursimi i TVSH-së duke shkelur procedurat ligjore që rregullojnë marrëdhëniet në fushën e rimbursimit dhe si rezultat i këtyre veprimeve, administratës tatimore i është shkaktuar një dëm prej 515,455,275 lekësh të reja. Pas marrjes së TVSH-së ka rezultuar se të gjitha firmat janë shitur nga ana e shtetasit Mirjan Beneja, me disa prokura”, thuhet në dosjen e prokurorisë. “Për të mundësuar shitjen e kompanive te vetja e tij, i pandehuri Mirjan Beneja ka përdorur 11 prokuroria, të gjitha në periudhën kohore shtator-dhjetor 2007. Të pandehurit Mirjan Beneja i ishte dhënë ndër të tjera edhe e drejta e nënshkrimit në vendimin e ortakut të vetëm për ndryshimet që mund të pësojë shoqëria, shtesë objekti, pakësim, mbyllje të shoqërisë, shitje të përqindjeve të kuotave ose në tërësi të tyre etj. Pesë nga subjektet, Mirjan Beneja ia ka shitur vetes së tij, ndërsa gjashtë subjektet e tjera i janë shitur shtetasit Gjergji Tupe. Nga këqyrja që i është bërë regjistrit të veprimeve noteriale të noteres së Dhomës së Noterisë Tiranë, L.P, nuk ekziston asnjë prokurë e lëshuar nga përfaqësuesit dhe administratorët e subjekteve në emër të shtetasit Mirjan Beneja. Këto prokura janë falsifikuar nga Beneja.


 


Tatimet e Tiranës


Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë ka përgatitur dhe miratuar programet e kontrollit për të gjitha këto subjekte dhe konkretisht këto programe janë hartuar nga përgjegjësi i Sektorit të Kontrollit, Laurent Vata, janë miratuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Kontrollit, Afërdita Hysa, dhe janë miratuar dhe përcjellë për njoftim subjekteve nga ana e drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tiranë, Ismail Muça. Kontrollet janë kryer nga ana e inspektorëve, të pandehurve Edmond Osmani, Gramoz Milushi dhe Kujtim Metalia, ndërsa me procedurat e rimbursimit është caktuar dhe marrë i pandehuri Tahir Kuka. Në të gjitha kontrollet e subjekteve të kryera nga ana e inspektorëve të kontrollit, të pandehurit Edmond Osmani, Gramoz Milushi dhe Kujtim Metalia nuk janë kryer detyrat e përcaktuara në programet e kontrollit të subjekteve që kanë të bëjnë me tërheqjen e inventarëve fizikë të fundit të kryer të mallrave dhe materialeve, aktin e fundit të kontrollit, inventarin fizik të mallrave dhe materialeve në momentin e kontrollit, ndërtimi i bilanceve materiale sipas inventarizimit të kryer dhe në mënyrë të veçantë evidentimin e treguesve financiarë të shoqërisë për kryerjen e analizave të mëtejshme të TVSH-së etj. Të gjitha aktkontrollet e kryera nga inspektorët janë pa analiza të dokumentacionit financiar, pasqyrojnë faktet se për periudhën e kontrollit 2008–2013 subjektet nuk kanë ushtruar veprimtari dhe nuk ka dokumentacion të paraqitur. Më pas, me urdhër të drejtorit të Tatimeve të Tiranës, Ismail Muça, është bërë rimbursimi i të gjitha subjekteve.


 


Verifikimet në banka


Janë kërkuar dhe administruar të dhëna nga të gjitha bankat e nivelit të dytë që operojnë në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë të veçantë nga bankat ku rezultojnë të jenë bërë pagesat e rimbursimit të TVSH-së për të gjitha subjektet e sipërpërmendura.


Nga këto të dhëna ka rezultuar se në të gjitha rastet e pagesave të bëra në bankat e nivelit të dytë për këto shoqëri është paraqitur i pandehuri Mirjan Beneja dhe në një rast i pandehuri Gjergji Tupe, të cilët brenda një kohe të shkurtër disaditore nga momenti i kalimit të pagesave pranë bankave, kanë bërë tërheqjen në para në dorë/cash të të gjitha shumave të rimbursuara nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë dhe gjendja e këtyre llogarive rrjedhëse aktualisht është në vlera minimale të nevojshme për mirëmbajtjen e llogarive nga bankat. Këto para të tërhequra cash me qëllim moslënien e të dhënave në sistemin financiar janë ndarë ndërmjet të pandehurve: Ismail Muça, Afërdita Hysi, Laurent Vata, Edmond Osmani, Gramoz Milushi, Kujtim Metalia, Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe.


 


Të pandehurit


1. Ismail Muça, drejtor i Drejtorisë së Tatimeve Tiranë


2. Afërdita Hysa, drejtore e kontrollit, D.R.Tatime, Tiranë


3. Laurent Vata, përgjegjës i Sektorit të Kontrollit, D.R.Tatime, Tiranë


4. Edmond Osmani, inspektor kontrolli, D.R.Tatime, Tiranë


5. Gramoz Milushi, inspektor kontrolli, D.R.Tatime, Tiranë


6. Kujtim Metalia, inspektor kontrolli, D.R.Tatime, Tiranë


7. Mirjan Beneja, administrator i kompanive private


8. Gjergj Tupe, administrator i kompanive private


 


SUBJEKTI                   RIMBURSIM I PALIGJSHËM            DATA E RIMBURSIMIT


 



  1. Lumturia”,                             43.648.000 lekë të reja                        22.09.2013

  2. F & M”                                  58.050.700 lekë të reja                        30.08.2013

  3. “Sheng- Da Ana”                     40.000.000 lekë të reja                        28.06.2013

  4. “Ventura”                                42.000.000 lekë të reja                        18.07. 2013

  5. “Nam Kwong”                         41.630.000 lekë të reja                        21.08.2013

  6. “Hong De”                               41.888.500 lekë të reja                        30.08.2013

  7. “Tai Ping Jang”                                    59.998.500 lekë të reja                        16.10.2013

  8. “Asterix 03”                            40.909.700 lekë të reja                        19.07.2013

  9. “BE-NI-SA”                             40.598.500 lekë të reja                        18.07.2013

  10. “Tong Da Horizont”                30.168.500 lekë të reja                        22.08.2013

  11. “Tirana HQ Imp- Exp”                        62.392.357 lekë të reja                        04.10.2013

  12. “Arlindi Trade”                                    42.498.5000 lekë të reja                      01.07.2013

  13. 4 + M”                                     25.930.848 lekë të reja                        26.02.2013