Një rast i rëndë i dyshuar abuzimi seksual ndaj një vajze 12-vjeçare ka çuar në arrestimin e dy personave në Tiranë. Në pranga kanë përfunduar një 29-vjeçar dhe një grua 32-vjeçare, të dy të afërm të së miturës.

Sipas të dhënave paraprake, autoritetet janë vënë në lëvizje pas një sinjalizimi të ardhur nga shkolla e vajzës. Rasti dyshohet se është zbuluar pasi në telefonin e saj janë konstatuar materiale me përmbajtje seksuale.

Pas njoftimit, policia ka kontaktuar prindërit e 12-vjeçares dhe, në praninë e një psikologeje, ka marrë dëshminë e saj lidhur me atë që dyshohet se kishte ndodhur.

Nga hetimet paraprake janë ngritur dyshime se e mitura është detyruar të kryejë akte seksuale me të afërmit e saj, si dhe të prodhojë përmbajtje intime përmes telefonit.

Në vijim të veprimeve hetimore, policia arrestoi K.B., 29 vjeç, kushëri i vajzës, dhe D.S., 32 vjeçe, tezja e saj.

Ndaj dy të arrestuarve rëndojnë dyshime për vepra penale që lidhen me marrëdhëniet seksuale me të mitur, incestin dhe pornografinë.

Ndërkohë, 12-vjeçarja po merr mbështetje të specializuar psikologjike, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive penale.