Seanca gjyqësore për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e parashikuar për sot, u shty për datën 19 janar.

Mbrojtja e Veliajt ka deklaruar se, që nga ora 07:00, kryebashkiaku ishte në pritje të fugonit të policisë për t’u shoqëruar në Tiranë, por ai mbërriti në sallën e gjyqit në orën 09:00, në të njëjtën kohë që mbahej seanca.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar duke hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes së Veliajt për vonesën e transferimit. Sipas IEVP Durrës, mjetet e Policisë së Burgjeve ishin të pranishme në ambientet e institucionit, në kohën e parashikuar. Për më tepër, IEVP Durrës shton se, në momentin e njoftimit, Veliaj ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar.

Reagimi i plotë:

Në lidhje me reagimin e bërë në media nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se janë të pavërteta pretendimet lidhur me orarin e transferimit të shtetasit Erion Veliaj nga IEVP Durrës drejt Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor.