Kjo e martë e 18 nëntorit shënon një vit nga vdekja e të miturit Martin Cani, i cili u vra nga bashkëmoshatari i tij me thikë pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”.
Në një lidhje live në ‘Goca dhe Gra’, e ëma e Martin Canit, Florina Cani, foli për të birin nga dhomën të cilën ata e kanë kthyer në një muze për djalin e mitur që ndërroi jetë.
“Ideja ishte e bashkëshortit por edhe e imja që Martinin ta mbajmë këtu me kujtimin e tij, i buzëqeshur dhe i dashur. Nuk duam ta harrojmë edhe pse ai iku në mënyrën të padrejtë. Viti më i vështirë sepse hera herës them pse jetoj, kur kujtoj Martinin që ikte në shkollë. Nuk ka gjë më të fortë se sa ta çosh në shkollë dhe mos të kthehesh më, ishte ditë tmerri. Në ditët e mia më të errëta shqiptarët më kanë ndenjur pranë. Familjarët i kemi pas pran por edhe shqiptarët na kanë respektuar pafund”, tha e ëma.
Ajo po ashtu foli edhe për librin të cilin po e shkruan në kujtim të djalit.
“Po e vazhdoj librin. Ardhja e Martinit në jetë dhe gjatë rritje ai ishte fëmijë shumë i veçantë. Nga lindja te ajo ditë e mallkuar që i mori jetën nga një bashkëmoshatar. Ai nuk e meritonte këtë.
E kujtoj kur mori çantën dhe iku nëpër shkallë, deri kur shkonte te autobusi e shoqëroja me sy. Më tha mami ika, mirupafshim”, tha Florina.
Për familjen e tyre dhimbja është edhe më e madhe, pasi sic tregoi edhe e ëma e Martinit, djali i tyre i vogël nuk e pranon akoma humbjen e të vëllait.
“Ja kemi shpjeguar edhe djalit të vogël por ai e ka të pamundur ta pranojë që Martini nuk kthehet më. Por jetojmë në një shoqëri shumë të egër. Stop dhunës dhe bullizmit sepse jeta është e shenjt, në qoftë se ja merr nuk kthehet më mbrapsht. Të gjithë jemi fajtor dhe duhet punë jo neglizhencë”, tha ajo.
