Vladimir Nukaj qëlloi me thikë disa herë mbi dy vëllezërit e tij, Ardian e Fitim Nukaj


Ther me thikë dy vëllezërit e tij, pasi këta të fundit i kërkonin të respektonte radhën për përdorimin e ujit që u nevojitej për vaditjen e perimeve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme rreth orës 11:00, në fshatin Bejar të rrethit të Mallakastrës. Krimi në familje ka pasur këtë herë si protagonist tre vëllezërit e familjes Nukaj të fshatit të Bejarit, ku njëri prej tyre, Vladimir Nukaj 37 vjeç, pasi ka debatuar ashpër me ta, i ka qëlluar me thikë. Të tre vëllezërit Vladimir, Ardian dhe Fitim Nukaj, janë të martuar dhe banesat e tyre ndodhen pranë njëra-tjetrës.


 


Ngjarja


Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të nisur për motive të dobëta mes Vladimirit dhe dy vëllezërve të tij, Ardian e Fitim Nukaj, përkatësisht 41 dhe 29 vjeç. Ndërkaq, nga burime nga vendngjarja bëhet e ditur se sherri mes vëllezërve ka nisur për shkak se autori i krimit ka kërkuar të mos respektojë radhën për përdorimin e ujit. Bëhet fjalë për ujin që vjen me tubacion nga vendburimi i Poçemit. Sipas banorëve të zonës, të tre vëllezërit ashtu si edhe fermerë të tjerë të zonës, e përdornin me radhë ujin. Por, vëllai i mesëm i familjes Nukaj, ka kërkuar të vadisë perimet dhe të mbjellat e tij jashtë radhe, me pretendimin se ato po i thaheshin për shkak të të nxehtit të këtyre ditëve. Kërkesa e tij nuk është pranuar nga dy vëllezërit e tjerë, të cilët e kanë quajtur të padrejtë një gjë të tillë dhe kanë i kanë thënë Vladimirit se ai duhej të respektonte radhën e paracaktuar më parë. Në këto kushte mes vëllezërve ka lindur debat i ashpër. Banorët e zonës janë shprehur se kanë dëgjuar të bërtitura, por nuk kanë ndërhyrë, pasi sherri ishte brenda familjes. Në vendin e ngjarjes, ka qenë i pranishëm edhe djali i agresorit, i cili për shkak të moshës së vogël nuk ka mundur të ndalojë të atin. Pasi janë ofenduar me njëri-tjetrin, Vladimiri ka nxjerrë një thikë që e ka pasur me vete dhe është vërsulur kundrejt dy vëllezërve të tjerë, Ardianit dhe Fitimit. Fillimisht ai ka qëlluar disa herë me thikë mbi këtë të fundit, ndërkohë që ka ndërhyrë vëllai tjetër, Ardiani. Por, Vladimiri nuk ka kursyer as vëllain e madh, duke e plagosur edhe atë. Pas kryerjes së krimit ai është larguar me vrap nga vendngjarja, ndërsa dy të plagosurit janë shoqëruar menjëherë nga të afërmit për në spitalin e Fratarit ku kanë marrë ndihmën e parë e më pas janë transportuar në spitalin e Ballshit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.


 


Arrestimi


Pas marrjes së informacionit për ngjarjen, në fshatin Bejar kanë mbërritur forca të shumta policore, të cilat kanë krehur zonën dhe kanë bërë të mundur kapjen e 37-vjeçarit Vladimir Nukaj, i cili nuk ka arritur të largohet shumë. Policia ka nisur procedimin ndaj tij për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”. Ndërkaq, burime të bluve shtojnë se është bërë e mundur të gjendet dhe sekuestrohet edhe arma e krimit.


Edmond Hoxhaj