Itali 


ismaele-lulli-igli-692967-655x356“Igli Meta nuk ka dashur ta vrasë Ismaele Lullin”. Kjo është teza mbi të cilën avokatët e shqiptarit të akuzuar së bashku me mikun e tij, Mario Mema, si autorë të vrasjes së 17-vjeçarit Ismaelle Lulli më 19 korrik, në Sant Angelo in Vada, në provincën e Pesaros, po përgatisin strategjinë e tyre mbrojtëse. Dje, Igli Meta është takuar me një psikiatër të ardhur nga Roma me qëllim realizimin e afërt të një ekspertize kërkuar nga dy avokatët e tij mbrojtës, Carlo Taormina e Salvatore Asole. Në këtë takim paraprak, psikiatri ka verifikuar gjendjen aktuale mendore të Igli Metës e brenda pak ditësh do të japë gjykimin e tij nëse i pandehuri ka qenë në gjendje të mirë mendore në momentin e kryerjes së krimit. Sipas avokatëve, kjo ekspertizë ka si qëllim t’u japë përgjigje dy pyetjeve. E para nëse Igli Meta ka reaguar nga provokimi i fyerjes e tradhtisë seksuale të kryer nga e dashura e tij, Ambera Saliji dhe e dyta nëse ka qenë tradhtia e mendimi se dikush tjetër ka përvetësuar trupin e të dashurës së tij që ka influencuar në ekuilibrin e tij mendor aq sa ta bëjë të paaftë të kuptojë e të veprojë. Përmes përgjigjeve të këtyre pyetjeve, avokatët mbrojtës të Igli Metës do të përpiqen të hedhin poshtë tezën e një vrasjeje të paramenduar ngritur nga pala akuzuese e përfaqësuar nga prokurorja Irene Lilliu. Një javë më parë, konsulenti teknik i avokatit mbrojtës ka mbërritur në Urbino duke ndërtuar skenën e krimit me qëllim mbledhjen e të gjitha materialeve, provave, elementeve të rëndësishme në shërbim të procesit mbrojtës. Shqiptari Igli Meta mbrohet nga studioja legale e avokatit Carlo Taormina, një nga më të mirët e më të njohurit në Itali. Karriera e tij profesionale është gërshetuar me karrierën politike duke qenë dhe deputet i Parlamentit Italian përkrah Partisë Forza Italia.