Një zhvillim i ri ka dalë në dritë në çështjen e vrasjes së shqiptares Sibora Gagani, pasi italiani Marco Romeo ka pranuar për herë të parë se është autori i krimit të ndodhur në vitin 2014 në Torremolinos.

48-vjeçari, i cili aktualisht është dënuar me 24 vite burg për vrasjen e ish-partneres së tij Paula në vitin 2023, kishte mohuar prej vitesh përfshirjen në vdekjen e Sibora Gaganit. Ai pretendonte se vetëm kishte fshehur trupin e saj në apartamentin ku jetonin bashkë.

Megjithatë, sipas mediave spanjolle, në një dokument të fundit të paraqitur nga mbrojtja, Romeo ka ndryshuar dëshminë, duke pranuar se e vrau të renë shqiptare brenda banesës dhe më pas fshehu trupin në një mur të dyfishtë të ndërtuar në apartament.

Trupi i 22-vjeçares u zbulua nga policia vetëm pas arrestimit të tij për vrasjen e Paula-s. Hetuesit gjetën viktimën të vendosur në një kuti druri dhe të mbuluar me gëlqere, ndërsa në vendngjarje u sekuestruan edhe një thikë me gjurmë gjaku dhe një tufë lulesh.

Sipas Prokurorisë spanjolle, Romeo dhe Sibora Gagani ishin njohur në vitin 2009 në Nettuno, kur ajo ishte 18 vjeçe. Një vit më vonë, çifti ishte transferuar në Spanjë për të jetuar së bashku.

Hetimet tregojnë se krimi dyshohet të ketë ndodhur gjatë korrikut 2014, kur italiani e sulmoi me thikë, duke i shkaktuar plagë të shumta fatale, përfshirë goditje në shpinë.

Prokuroria kërkon 22 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim në kuadër të dhunës gjinore, si edhe për fshehje të kufomës. Ndërkohë, mbrojtja e Romeo-s kundërshton akuzën për paramendim, duke pretenduar se ngjarja nuk ishte planifikuar.