Një i ri nga Durrësi, Arbër Tivari, 29 vjeç, është arrestuar nga Policia pasi dyshohet si autor i disa vjedhjeve në lokale të qytetit bregdetar. Tivari, i cili ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një aksident tragjik në autostradën Tiranë-Durrës tre vite më parë, nuk është penguar nga privimi i lirisë për të kryer veprime penale.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Durrës njoftojnë se, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar dhe me një shok të tij, më 18 nëntor 2025, kanë vjedhur sende me vlerë rreth 3 milionë lekë të vjetra nga lokali i shtetasit L. K., në lagjen nr. 18 të qytetit.
Arbër Tivari është një person i njohur për policinë e Durrësit. Ai ka qenë i përfshirë më parë në një aksident tragjik më 27 nëntor 2022, në të cilin dy vajza, Roxhesa Klironomi, 24 vjeçe, dhe Silva Gjergji, 26 vjeçe, humbën jetën. Për këtë ngjarje, ai ishte vendosur në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, por ende nuk është dënuar.
Gjithashtu, Tivari ka qenë i përfshirë edhe në incidente të tjera; në mars 2021 u plagos pas një konflikti me armë në lagjen nr. 4 të Durrësit dhe më parë ishte arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe municione luftarake.
Me arrestimin e sotëm, ai ka thyer masën e sigurisë dhe është kapur duke kryer një vepër tjetër penale, duke u dërguar menjëherë në burg deri në përfundim të procedurave gjyqësore.
Njoftimi i sotëm:
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Masa”, identifikuan, lokalizuan dhe ndaluan shtetasit:
A. T., 29 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Durrës, i dënuar më parë dhe aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për një aksident rrugor me pasojë jetën, i ndodhur në vitin 2022.
M. Ç., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 8 Durrës.
Ndalimi i këtyre dy shtetasve u bë pas një pune intensive të ndjekur nga ana e specialistëve të Hetimit të Krimeve, ku ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim edhe me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, më datë 18.11.2025, gjatë natës, në lagjen nr. 18 Durrës, në lokalin e shtetasit L. K., kanë vjedhur sende të ndryshme brenda lokalit, me vlerë 3 000 000 lekë të vjetra.
Në vijim të operacionit, u bë e mundur gjetja e automjetit që këta shtetas kishin përdorur për të transportuar sendet e vjedhura, si dhe rrobat që autorët kanë përdorur në vjedhje.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin e bashkëpunëtorit të tyre, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”
