Policia e Tiranës ka arrestuar 43-vjeçaren Alma Bime, drejtuese e sektorit të Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, nën dyshimin se ka shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ka tentuar t’i vërë flakën automjetit të ish-bashkëjetuesit të saj.

Sipas njoftimit zyrtar, veprimet u kryen nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 4, pas denoncimit të ish-bashkëjetuesit të saj. Ngjarja ndodhi disa muaj pas shoqërimit të saj nga policia në dhjetor, për akuza që lidhen me kanosje dhe dëmtim prone.

Burimet mediatike bëjnë me dije se konflikti mes Bimes dhe ish-bashkëjetuesit, Mareglen Tomori, ishte i vazhdueshëm. Tomori zotëron një vilë trekatëshe në zonën e Kinostudios, ku kishte punësuar edhe një shtetas të huaj me leje qëndrimi të rregullt, i cili kujdesej për ambientin dhe banonte në katin e parë të banesës.

Sipas denoncimit, Alma Bime dyshohet se ka kërcënuar shtetasin e huaj përmes mesazheve, duke përmendur edhe heqjen e lejes së qëndrimit, si dhe më herët ka shkaktuar dëme në banesë, përfshirë djegien e orendive shtëpiake. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.