Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 20-vjeçar i cili, ndonëse ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ka thyer izolimin për të kryer një seri vjedhjesh në kryeqytet.
Në pranga ka rënë 20-vjeçari O. H., i identifikuar si autori i dyshuar i tetë episodeve të ndryshme të vjedhjes të zbardhura nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me struktura të tjera të policisë lokale.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë, përgjatë periudhës 5–13 gusht 2026, i riu dyshohet se ka hyrë në tetë subjekte të ndryshme në Tiranë, nga ku ka arritur të përvetësojë shuma parash dhe produkte të ndryshme.
Ndërkohë, strukturat hetimore po vijojnë punën për të zbuluar nëse 20-vjeçari është i përfshirë edhe në vjedhje të tjera të raportuara në kryeqytet gjatë kohëve të fundit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë:
“Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Multiple”. Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për vjedhje, për të kryer vjedhje në 8 subjekte, gjatë 1 jave, kapet 20-vjeçari.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bazë të kallëzimeve të disa shtetasve, për vjedhje në subjektet që kishin në pronësi/administrim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me shërbimet e komisariateve të tjera në territoret e të cilave ishin kryer vjedhje, finalizuan operacionin e koduar “Multiple”, gjatë të cilit u zbardhën 8 raste në këtë fushë dhe u kap autori i dyshuar i tyre, shtetasi O. H., 20 vjeç.
Nga këto veprime dyshohet se 20-vjeçari, gjatë periudhës 05.08.2026–13.08.2026, ka vjedhur para dhe produkte, në 8 subjekte. Gjatë verifikimeve të mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Hetimet vijojnë për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi O. H. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia
