Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka cilësuar protestuesit që kanë brohoritur kundër tij si “ekstremistë të majtë” dhe “grupe të vogla të paguara nga George Soros”, duke theksuar se pretendimet e tij i ka të faktuara.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se mes protestuesve ka edhe socialistë të zhgënjyer nga qeverisja e kryeministrit Edi Rama, të cilët, sipas tij, përfshijnë edhe emrin e tij në kritikat ndaj qeverisë.
“Këta janë ekstremistë të majtë, të cilët me Sali Berishën kanë një armiqësi ideologjike të papajtueshme. Çfarë janë këta që brohorasin? Janë grupe të vogla të paguara nga Sorosi, dhe i ke vet parasysh marrëdhëniet e mia me të, që e kam denoncuar ndërkombëtarisht. Këta janë edhe socialistë të dëshpëruar në shkallë maksimale me mashtrimet e Edi Ramës, s’e kanë për mbarë të shajnë atë pa më përfshirë edhe mua, për ta lehtësuar pozicionin e tyre shpirtëror. Nuk janë sorra. Asnjë s’është sorrë. Janë ekstremistë të majtë dhe këtë e kam të faktuar. Ka një slogan tjetër: ‘Opozitë e shitur’. Absurditeti më i madh, sepse nëse merr të gjitha kërkesat që janë bërë aty ka qenë axhendë dhe betejë e PD”, tha Berisha.
