Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin “Breaking”, ku ka zbuluar detaje të reja në lidhje me krimet tronditëse të Dan Hutrës.
Karamuço deklaroi se Hutra kishte planifikuar mirë dhe vrasjen e 4-t, pas ekzekutimit të 3 grave, por nuk kreu vetëm sepse policia e zbuloi. Ndërkohë, në lidhje me pyetjet se përse këto vrasje nuk u parandaluan edhe pse ai i kishte deklaruar me zë që do i kryente, Karamuço deklaroi se vrasësit si Hutra nuk merren asnjëherë seriozisht për këto kërcënime që bëjnë.
“Ai kishte bërë plan të bënte vrasjen e 4. E kishte lokalizuar shënjestrën dhe po e ruante. Ishte ende i paorientuar për rutinën e viktimës së ardhshme. Do e kalonte natën fshehur në disa ferra në një kodrinë. Fati i mirë ishte që kur shkoi policia, e kishte lënë armën në makinë dhe ishte ulur më larg sepse mund të kishte qëlluar kundër policisë. Edhe pse ai e pranoi tha që nuk mund t’i vrisja, më lini të bëj dhe vrasjen e 4 dhe do dorëzohem. Shikoni sa i rrezikshëm, i pandalueshëm që ishte. Ai thoshte dhe në burg ‘Do vras, do vras’, pro askush se merrte parasysh.
Shteti nuk ka reaguar edhe pse ky ka bërë kërcënime sepse persona si ky nuk merren seriozisht.”- tha Karamuço.