Arrestimi nga policia e Nuredin Dumani u bë kryefjala e mediave mbrëmjen e 29 marsit, teksa dyshimet kryesore rëndojnë për implikimin e tij në atentatin ndaj BMW-së në fshatin Papër të Elbasanit.
Për këtë ngjarje policia dha gjithashtu një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në orën 01:00 të mëngjesit sot, ku sqaroi rrethanat dhe detajet e arrestimit të Dumanit.
Bëhet me dije se mbi Dumanin rëndojnë akuzat e 7 vrasjeve, të cilat nisën fill pas grabitjes së Rinasit në prill të 2019-ës.
Nuredin Dumani u arrestua në një apartament në qytetin e Fierit, ku u gjet i plagosur nga efektivët e policisë. Teksa policia për plagosejen e tij u njoftua nëpërmjet një telefonate.
Arrestimi i Dumanit u bë rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të martës, pasi e gjithë Policia e Shtetit ishte vënë në kërkim të tij, pas ngjarjes së mbasdites të së martës, ku u raportua për një shkëmbim zjarri në afërsi të fshatit Papër në Elbasan.
Video nga momenti i arrestimit
Nuredin Dumani nuk ka qenë i vetëm në momentin që është arrestuar nga forcat speciale në ambientet e spitalit të Fierit.
Në momentin e arrestimit Dumani ka qenë në dhomën e spitalit së bashku me një person të dytë. Dyshohet se personi që shoqëronte Dumanin në dhomë të jetë i seksit femër.
Telefonata që çoi në arrestimin e Dumanit
Arrestimi i të shumëkërkuarit Nuredin Dumani në spitalin e Fierit, sipas abcnews u bë pas një telefonate të mbërritur në numrin 129 të Policisë së Shtetit. Ishte pikërisht kjo telefonatë që vuri në dijeni policinë e Shtetit se në spitalin e Fierit kishte mbërritur një person i plagosur.
Ndërkohë që policia prej mbasdites së të martës ishte vënë në kërkim të tij, pasi kishte ndodhur një përplasje me armë në Papër të Elbasanit.
Mësohet se Nuredin Dumani nga spitali i Fierit është transportuar në spitalin ushtarak në Tiranë, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Largimi i tij nga spitali i Fierit është bërë pasi në këtë institucion zbarkuan krerët më të lartë të policisë. Transportimi i tij në spitalin ushtarak është bërë nën masa të larta sigurie. Dy furgone të RENEA-s janë larguar së bashku me autoambulancën.
Kush është Nuredin Dumani dhe armiqësia e tij me Talo Çelën
Nuredin Dumani është një nga personazhet më të rrezikshëm në Shqipëri, pasi akuzohej si vrasës serial, pasi ishte i implikuar në të paktën 7 vrasje. Ndaj Dumanit më herët Prokuroria ka lëshuar dy urdhër-arreste dhe ka në duar prova të mjaftueshme për ta implikuar si ekzekutor në të paktën shtatë vrasje.
Nuredin Dumani ka qenë krahu i djathtë i të shumëkërkuarit tjetër Talo Çela, i cili edhe ky është shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohet për një sërë vrasjesh.
Dumani më herët ka qenë i akuzuar për prostitucion, por prej vitit 2022, ndaj tij rezultojnë edhe akuzat e vrasjes.