Thyen masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe shkuan nga Tirana në Vlorë, për të kryer vjedhje, kapen në flagrancë nga Policia, teksa tentonin të hapnin derën e një banese.

Vihen në pranga 2 shtetasit, të dy me precedentë të theksuar penalë për vjedhje, të cilët ishin me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për të njëjtën vepër penale.

Sekuestrohen pajisje të posaçme për hapjen e bravave dhe kasafortave.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për 2 shtetas që dyshohej se kryenin vjedhje në banesa, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Again”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. G., 48 vjeç dhe A. H., 46 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në momentin që, me pajisje të posaçme, po tentonin të hapnin derën e një banese në lagjen “Bashkimi”, me qëllim vjedhjen.

Nga verifikimet rezultoi se të dy kishin thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”, dhe ishin zhvendosur nga Tirana në Vlorë, për të vijuar veprimtarinë e tyre kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisje të ndryshme për hapjen e bravave dhe kasafortave, automjeti tip “Mercedes-Benz” që përdorej nga autorët, si dhe 2 celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.