Pamje lufte vijnë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet ku mbrëmjen e sotme ka pasur përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gazetari Anesti Bajrmamaj raportoi se rrugët pranë Kryeministrisë, kanë mbetur gurë, sende të ndryshme dhe vazo lulesh të përmbysura, të cilat kanë krijuar edhe barriera në bulevard.

“Duket sikur është një situatë lufte në bulevardin Dëshmor të Kombit, ku kanë mbetur tashmë gurë të hedhur, sende të ndryshme, por edhe të gjithë vazot e luleve që kanë qenë në bulevard, tashmë kanë përfunduar në rrugë duke krijuar dhe një barrikadë për policinë, por sërish policia ka arritur që të kalojë mes tyre dhe të ndjekë për disa metra edhe protestuesit të cilët tashmë rikthehen herë pas here”, raportoi ai.

Sipas gazetarit , përveç përballjeve me policinë, protesta ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në biznese private. Disa banka të nivelit të dytë janë shkatërruar, ndërsa dokumente dhe orendi nga ambientet e tyre kanë përfunduar në rrugë. Dëmtime janë konstatuar edhe në disa filiale të kompanive celulare, veçanërisht në zonën e Piramidës dhe në rrugën e Elbasanit.

Dëme kanë pësuar gjithashtu kioska dhe biznese përgjatë itinerarit të protestuesve. Dy kioska në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë djegur, ndërsa raste të ngjashme janë raportuar edhe në rrugën e Elbasanit.

Ndërkohë, disa biznese dhe banka kanë vendosur mbrojtje në fasadat e tyre për të shmangur dëmtime të tjera, pas incidenteve të ditëve të fundit. Sipas gazetarit, mbetet për t’u parë nëse protestuesit do të tërhiqen nga sulmet ndaj pronës private apo nëse dëmtimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

“Do të shihet në ditët në vijim nëse do të ketë një tërheqje nga protestuesit, sa i takon dëmtimit të bizneseve private apo do të vijohet sërish me këtë skenar që ata kanë kryer për tre ditë me radhë”.