Kristjan Ruçi, djali i Pano Ruçit, ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në Athinë nga Selaniku, pasi greva e urisë e të atit përfundoi, ndërkohë që autoritetet greke vendosën të kryejnë autopsinë e Denisit, viktimës së aksidentit tragjik në Tempi.
“Ndihem i lehtësuar që ai e ndërpreu grevën e urisë”, tha Kristjani për mediat, duke shtuar me kriticizëm: “Në një vend ku lindi demokracia, nuk e kuptoj pse na u desh të prisnim 23 ditë për një çështje kaq të thjeshtë”.
Ai tregoi se gjatë gjithë kohës së grevës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të atin, duke i dhënë kurajë: “Për 23 ditë i qëndrova pranë, siç bënë të gjithë. I kërkova ta mendonte mirë, sepse isha i shqetësuar për shëndetin e tij. Kishte probleme me zemrën, por këmbënguli”.
I emocionuar, Kristjani e quajti babanë e tij “një hero”, duke theksuar mbështetjen e madhe që ka marrë ai nga qytetarët në të gjithë Greqinë dhe më gjerë.
Duke përmendur vëllain e tij të ndjerë, Denisin, i cili humbi jetën në aksidentin hekurudhor të Tempit, Kristjani u shpreh: “Shpresoj që Denisi të na shikojë nga lart”.
Sot, në ditëlindjen e Pano Ruçit, familja ka planifikuar një surprizë në Sheshin Syntagma në Athinë, me synimin për t’i dhuruar një moment gëzimi pas javëve të vështira që ka kaluar.