Seanca plenare e sotme në Kuvend u shoqërua me debate dhe replika të forta mes deputetit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, dhe deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi. Pas fjalës së Balliut, në të cilën ai kritikoi qeverinë për mënyrën e menaxhimit të administratës publike, reagoi deputetja socialiste Çaushi. Ajo iu përgjigj me tone ironike dhe personale, duke e akuzuar Balliun dhe familjarë të tij për përfshirje në afera ekonomike në periudha të mëparshme.

Gjatë ndërhyrjes së saj, Çaushi ironizoi më tej, duke thënë se Balliu mund të përdorë për replikë ato që, sipas saj, po i mësonte kolegu i tij, Belind Këlliçi.

“Si mund të dalë një bukurosh këtu dhe të na flasë për administratën. Ti je i fundit që mund të dalësh këtu dhe të flasësh… më dëgjo bukurosh më dëgjo se do të rifreskoj memorien ty dhe kolegëve. Ti përveç se vjen nga një fis i bukur, vjen dhe nga një familje hajdutësh, hajdutësh rrugësh madje, dhe vjen dhe bërtet se mendon se si ti bëjnë të gjithë.

Në 2007 sapo u sistemuat në këto karrige të mazhorancës, yt at bashkë me tezen tënde, se vjen dhe na flet këtu për familjarët, Blerina Agolli hapin një shoqëri, shoqëri që kishte një fat të ndritur, të merrte të gjitha fondet e qeverisë, sepse ishte sekretare e përgjithshme në ministrinë e Kulturës.

Ja të mbaroj unë zoti Këlliçi dhe pastaj orientoje se çfarë mund të flasë. Tani i dashur bukurosh mund ta marrësh fjalën për replikë, dhe të thuash siç të mësoi Këlliçi”, tha Çaushi.