Zbardhen detaje nga seanca që çoi në arrestimin e avokatit Ulian Barjami nga Policia e Elbasanit.
Mësohet se seanca ëhstë zhvilluar ditën e djeshme në Gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan, për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Maksim Suçi dhe personave të tjerë, që mbroheshin nga avokati Ulian Barjami. Ndërkohë, akuza përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka.
Avokati Ulian Barjami, pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, deklaroi se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash ndaj prokurorit, pasi procesverbali me shkrim i sjellë nga prokurori në gjykim përshkruante një situatë ku klienti i avokatit Barjami kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë.
Prokurori Ceka, i irrituar nga ky deklarim, replikoi me avokatin Barjami duke i thënë: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”, dhe ndërkohë, i nervozuar, kthente kokën nga punonjësit e policisë prezentë në sallën e gjyqit.
Avokati Barjami replikoi duke deklaruar: “Do të bëj kallëzim, se ke shkelur ligjin.”
Për këto deklarime ndërhyri gjyqtarja Strakosha, e cila i sqaroi avokatit Barjami se duhet të shmangte këtë diskutim dhe të fokusohej në interpretimin e provës në atë moment, pa u marrë me atë se çfarë do të bënte në vijim.