Biznesmeni Gjergj Luca ka deklaruar në Top Story se i është drejtuar krimit kibernetik me një denoncim për sulm online ndaj biznesit të tij. Ai tha se përmes review-ve negative që kanë bërë në faqen e tij të biznesit, i kanë dëmtuar punën duke e renditur restorantin e tij me një yll, çka sipas Lucës ndikon direkt në klientët që vijnë nga jashtë.
“Unë kam zgjedhur atë rrugë që kur më sulmojnë të flas. Për të gjithë klientët shqiptarë dhe të diasporës, mua nuk më kanë bërë asnjë dëm. Për të gjithë klientët që drejtohen nga rrjetet sociale, që shohin yjet, këtu më kanë dëmtuar, patjetër që po dhe më kanë dëmtuar shumë, jashtë mase. Sulmi nisi dhe për tre orë më kanë marrë IT-të e mi dhe më kanë thënë që na kanë bërë copë dhe kanë filluar të na bien review, deri sot ma kanë çuar te një yll. E kam denoncuar te krimi kibernetik”, u shpreh Luca.
Ndërkohë, në studio ka reaguar analisti Arjon Sulo, i cili i tha atij se është i lidhur me qeverinë dhe se nuk mund të japë mendime politike të pavarura.
“Shikoji pak dhe punëtorët, se i ke merak… ti je futur në politikë duke qenë palë me këtë qeveri. Do presësh dhe kundërpërgjigje politike, sepse një biznesmen nuk jep dot mendime të pavarura politike kur është palë me qeverinë”, tha Sulo.
Luca i është përgjigjur duke i thënë se e sfidon që t’i gjejë kontratën që ka firmosur me qeverinë për biznesin e tij.
“I kam quajtur hiçër, por ti ke parë vetëm çfarë kam thënë unë, por shikoji dhe të tjerët çfarë kanë thënë për mua dhe unë do ju dëgjoj më pas a jeni me këtë mendim apo jo. Po të bëj një sfidë publike dhe po i lutem Gridës që të vij në studio dhe ti të më tregosh mua se cilën kontratë kam mbyllur unë me shtetin për 30 vite? Më kanë futur në Labinot dhe ma kanë dhënë me 1 euro, kur bëra gjithë këtë mrekulli erdhën dhe më futën metrin. E kam marrë me qejf… kur harxhova 20 mln euro doja ta privatizoja, i thashë më bëni letrat, jo më thanë ne do vijmë të të vëmë metrin. Më kanë vu metrin, miku im, në mes të maleve, kam pagu 1.4 miliardë. Mos më thoni mua që më ka bërë privilegje qeveria”, tha ai.
