Përmes një deklarate për mediat, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me bojkotin e komisioneve nga ana e opozitës.
Ai ka theksuar se, pas vendimit të opozitës për të bojkotuar punën e institucioneve, Partia Socialiste do të vazhdojë të respektojë vullnetin e shqiptarëve dhe do të punojë për të avancuar proceset e reformës.
Balla gjithashtu ka bërë thirrje për një reflektim të opozitës dhe ka shprehur gatishmërinë e PS-së për dialog dhe bashkëpunim.
“Me historinë që ne ikim ne s’votojmë, ata të shohin punën e vet. Ne do të presim reflektim nga ana e tyre është një vendim emocional në kushte të javës së kaluar por besojmë që emocionet do t’i kalojnë pas gjelit të detit dhe bakllavasë. Me fillimin e sesionit të ri t’i rikthehen punës, nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, ata e prishin dakordësinë për të mos marrë pjesë në komision…
Në rast se mendojnë se mund të marrin peng komisionet, atëhere ne do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve që të kalojmë në shumicë në komisione, pasi shumicën e vendosi vetë populli. Pakica nuk e merr dot peng nevojën e reformës ndërkohë që gatishmëria jonë për tu ulur me opozitën mbetet e plotë”, tha Balla.
