Plani urbanistik
Prishet plani i Ramës. Basha: Kompleksi “Dinamo” dhe pishinat, për rekreacion. S’ka ndërtime te diga
Lorina Mixha
Plani urbanistik i Tiranës për njësinë bashkiake numër 5, që përfshin kryesisht zonën e Tiranës së Re, ka parashikuar përmirësim infrastrukture, zgjerime rrugësh, por edhe ndërtime.
Konkretisht nuk do të zbatohet plani në kohën e ish-kreut të bashkisë, Edi Rama, për zonën e liqenit. Në këtë zonë nuk do të ndërtohet as te diga e as në pjesë të tjera që parashikonte plani i mëparshëm. Ndërtime do të ketë, por në disa zona të liqenit, në pjesët ku evidentohen ndërtime të ulëta, të cilat kryesisht janë buzë rrugës. Sipas ekspertëve të bashkisë, në këtë pjesë do të ndërtohen pallate shumëkatëshe, por tri katet e para do të jenë për zyra dhe planifikohen të përshtaten ambiente për shërbime.
Dje, kreu i bashkisë Lulzim Basha, së bashku me ekspertët e urbanistikës, kanë publikuar planin urbanistik për njësinë bashkiake numër 5. Komuniteti dhe drejtues të bashkisë ndodheshin në palestrën e shkollës “Vasil Shanto”, aty ku u numërua edhe kutia e fundit në rezultatet e zgjedhjeve vendore për kryetar bashkie dhe komisioni shpalli fitues Edi Ramën.
Nga ky ambient, kreu i bashkisë, Lulzim Basha, ka deklaruar se nuk do të ketë ndërtime te diga, nuk do të preket as kompleksi “Dinamo” dhe as pishinat. “Kjo zonë do të shërbejë për rekreacion, do të rregullohet, por nuk do të kemi ndërtime, as te diga”, sqaroi Basha. Sipas tij, në asnjë zonë tjetër të qytetit, mungesa e planit nuk ka shkaktuar më shumë dhimbje, probleme e kokëçarje dhe zhbërje të cilësisë së jetës se sa në njësinë bashkiake nr. 5.
“Unë besoj se komunitetit të kësaj zone të Tiranës, qytetarëve të Tiranës, i vlen mbajtja e kompleksit ‘Dinamo’, në parametrat që ndodhet dhe rinovimi i infrastrukturës sportive aty. Ju e dini se unë jam angazhuar publikisht për këtë, jo vetëm për kompleksin ‘Dinamo’, por edhe për zonën e pishinave. Kjo do të thotë se si kompleksi ‘Dinamo’, si zona e pishinave, do të ruhen e rigjenerohen sipas formulës së zonave rekreative për t’i shërbyer kësaj njësie bashkiake e gjithë Tiranës, pra ai projekti i famshëm që shikonte poshtë digës një numër shumë të madh banesash, siç e kam thënë, nuk mund dhe nuk do të ekzekutohet”, sqaroi kreu i bashkisë.
Sipas tij, ajo që do të shihet në raport me pronarët e parcelave përreth është në përputhje me koeficientët e banimit në zona miks. “Kompleksi ‘Dinamo’ dhe zona e pishinave do të përshtaten e rigjenerohen me funksionet që kanë sot, sportive, rekreative. E njëjta gjë vlen edhe për kopshtin botanik e zoologjik”, përfundoi Basha.
“Kemi menduar në lidhje me pajtimet e propozuara në qytetin e Tiranës, ku si shihet janë brenda qendrës kryesore të biznesit dhe janë gjithsej 11 copë, të cilat krijojnë kapacitete të shtuara të parkimit prej 6 800 vendesh, gjithashtu plani urbanistik ka parë çështjen e transportit publik të integruar midis llojeve të ndryshme të transportit, jo siç e kemi deri sot, që ofrohet vetëm nëpërmjet autobusëve, por duke propozuar edhe linja tramvaji në drejtimin lindje–perëndim, që është linja më tradicionale dhe ka fluksin, dërgesën më të madhe të pasagjerëve, dhe gjithashtu edhe veri–jug, duke hapur edhe mundësinë e lidhjes me aeroportin, si dhe me qendrën e zhvillimit në lindjen e qytetit”, tha Nereida Hoxha, eksperte.