Ish-kryeministri norvegjez, Thorbjorn Jagland, është vënë zyrtarisht nën hetim për akuzën e “korrupsionit të rënduar”, në kuadër të hetimeve lidhur me skandalin e dosjeve të Jeffrey Epstein. Ministri i Jashtëm i Norvegjisë ka bërë të ditur se do të kërkojë heqjen e imunitetit të Jaglandit, i cili ka pasur postin e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës dhe ka kryesuar Komitetin e Nobelit për Paqen, për të mundësuar hetimin e plotë.
Jagland, i cili ka qenë kryeministër i Norvegjisë nga 1996 deri në 1997 dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës nga 2009 deri në 2019, është përfshirë në hetimet që lidhen me periudhën e mbuluar nga dokumentet e publikuara të Epstein. Sipas drejtorit të Okokrim, Pal K. Lonseth, “ka baza të arsyeshme për hetim”, duke pasur parasysh pozitat kyçe që Jagland ka mbajtur gjatë periudhës që përfshin skandalin.
Një email i dërguar nga Jagland për Epstein në maj të vitit 2012, i cili është pjesë e dosjeve të publikuara, ka tërhequr vëmendjen e hetuesve. Në këtë mesazh, Jagland shkruante: “Kam qenë në Tiranë (Shqipëri), vajza të jashtëzakonshme.” Ky email ka ngritur dyshime mbi natyrën e lidhjeve të tij me Epstein, të cilat tani janë subjekt hetimi.
Instituti Norvegjez i Çmimit Nobel ka deklaruar se po pret një shpjegim nga Jagland në lidhje me lidhjet e tij të raportuara me Epstein. Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar më shumë detaje mbi rolin dhe ndikimin e Jagland në këtë skandal ndërkombëtar.
