Protesta e nxënësve dhe studentëve vijon edhe këtë të enjte, duke hyrë në ditën e tretë të saj. Mësimi është bojkotuar në gjimnaze dhe fakultete në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit.
Që në orët e para të mëngjesit, të rinjtë iu janë përgjigjur thirrjeve për protestë, ndërsa në kryeqytet kanë nisur grumbullimet pranë Parlamentit.
Lëvizja vjen pas përshkallëzimit të situatës gjatë protestës së së mërkurës në Tiranë, ku pati përplasje, zjarre dhe dëmtime të ambienteve publike, institucioneve dhe bizneseve.
Bojkotimi i mësimit nuk është kufizuar vetëm në kryeqytet. Edhe në disa qytete të tjera, gjimnazistë dhe studentë kanë ndërprerë procesin mësimor, pas thirrjeve të shpërndara në rrjetet sociale.
Në një zhvillim paralel, është anuluar seanca plenare e Kuvendit e parashikuar për këtë të enjte, në një kohë kur protesta dhe situata politike në vend kanë tërhequr vëmendjen publike.
Pas ngjarjeve të së mërkurës ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Ai akuzoi opozitën se po përpiqet të pengojë rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke deklaruar se vendi nuk do të kthehet pas.
