Në Tiranë pritet të mbahet mbrëmjen e sotme protesta e 20-të radhazi kundër qeverisë, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e kabinetit qeveritar.

Tubimi është parashikuar të nisë në orën 19:00 para godinës së Kryeministrisë, ndërsa organizatorët bëjnë me dije se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vijim.

Sipas pjesëmarrësve, protestat kanë vijuar çdo ditë prej 19 ditësh në kryeqytet, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur për të shprehur pakënaqësitë dhe kërkesat për ndryshime politike.

Edhe për këtë mbrëmje pritet që pas qëndrimit para Kryeministrisë, protestuesit të marshojnë në disa nga rrugët kryesore të Tiranës, duke përcjellë mesazhet dhe thirrjet e tyre kundër qeverisë.

Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore, që sipas tyre mbetet largimi i kryeministrit dhe i qeverisë aktuale.