Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan të gjerë masash sigurie në kryeqytet, në kuadër të dy protestave të paralajmëruara për sot, asaj të studentëve dhe tubimit kombëtar të organizuar nga Partia Demokratike.

Rreth 1500 efektivë janë mobilizuar për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të protestave, ndërsa studentët vijojnë qëndresën e tyre, duke hyrë në ditën e 19-të të tubimeve.

Në prag të nisjes së protestës, situata pranë Ministrisë së Arsimit raportohet e qetë. Një grup studentësh dhe qytetarësh është mbledhur në Rrugën e Durrësit, ku autoritetet kanë ndërhyrë për të devijuar qarkullimin e automjeteve.

Pavarësisht masave të shtuara të sigurisë, prania e uniformave blu në hyrjen kryesore të Ministrisë së Arsimit është e kufizuar. Vetëm tre efektivë janë vendosur përpara institucionit, ndërsa pjesa tjetër e forcave ndodhet në pozicione të tjera, kryesisht pas godinës.

Në momentet e para të grumbullimit, pjesëmarrja në protestë ka qenë relativisht e ulët. Mes personave të pranishëm janë konstatuar edhe disa protestues me fytyra të mbuluara.

Për të përballuar çdo situatë të mundshme, në afërsi të vendit të tubimit janë pozicionuar edhe vullnetarë të ndihmës së parë, të cilët do të ndërhyjnë në rast se ndonjë prej pjesëmarrësve ka nevojë për asistencë mjekësore.

Ndërkohë, një tjetër pjesë e rëndësishme e planit të sigurisë është përqendruar te Kryeministria, ku pritet të zhvillohet protesta e thirrur nga opozita.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës qeveritare, nuk vihet re një përqendrim i madh i forcave policore. Autoritetet kanë zgjedhur të pozicionojnë pjesën më të madhe të efektivëve në pjesën e pasme të Kryeministrisë.

Në këtë zonë janë vendosur edhe autobotë, pranë të cilëve qëndrojnë disa punonjës policie, si pjesë e masave parandaluese për ruajtjen e rendit publik.

Plani i sigurisë nuk kufizohet vetëm te dy vendet kryesore të grumbullimit. Forcat e rendit kanë marrë masa edhe për mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe ministrive që ndodhen përgjatë zonës nga Rruga e Durrësit deri te Ministria e Brendshme.

Pavarësisht mobilizimit të konsiderueshëm policor dhe përgatitjeve për protestat, qarkullimi në bulevardin kryesor të kryeqytetit vijon normalisht.