Rregullorja e re e ndërtimeve: projektuesit dhe ndërtuesit të marrin masa për izolim


Lorina Mixha


Falë rritjes së PBB-së, urbanizimit, rritjes demografike dhe remitancave të ardhura nga jashtë vendit, Tirana ka pasur një bum të vërtetë në sektorin e ndërtimit gjatë 20 viteve të fundit. Qyteti i Tiranës vlerësohet me probleme shqetësuese nga radoni. Ai shtrihet mbi një trashësi aktive të kuqe, që prodhon radon. Radoni është një gaz radioaktiv, pa ngjyrë, pa shije dhe pa erë, i pakapshëm nga shqisat e njeriut. Ai krijohet si rezultat i shpërndarjes radioaktive të uraniumit dhe toriumit, që gjenden në tokë. Të gjitha këto raportime vijnë nga ekspertët që pasqyruan studimet dhe evidencat e fundit në dokumentin e masterplanit të qytetit të Tiranës. Sipas planit urbanistik të qytetit të Tiranës, publikuar dy ditë më parë, aktualisht, sektori i ndërtimit zë rreth 4.28% të tregut ekonomik të qytetit. Ai numëron 1.143 firma ndërtuese dhe prodhuese të materialeve të ndërtimit, dhe rreth 80% të të gjithë firmave ndërtuese në vend.


Përqindjen më të lartë në veprimtarinë ndërtimore e zë ngritja e ndërtesave të banimit me rreth 60%. Gjithashtu, shitblerjet e banesave dhe apartamenteve kanë zënë rreth 65% të të gjitha transaksioneve të tregut kryeqytetas. Aktualisht në Tiranë janë ndërtuar rreth 115.000 banesa dhe apartamente, ku 54% e tyre janë ndërtuar para viteve ‘90 dhe 46% pas viteve ‘90.


Në qytetin e Tiranës ka një përqendrim shumë të madh ndërtimesh që përbën rreth 15.20% të totalit të ndërtimeve në gjithë Shqipërinë. Gjithashtu dhe rajonet bregdetare si dhe ato të Shqipërisë së Mesme karakterizohen nga ndërtime të reja, përkatësisht 44% dhe 31.40% e totalit të ndërtimeve në gjithë Shqipërinë, si rezultat i rritjes së kërkesës për banesa në këto vende. Zonat malore janë më të varfrat në ndërtime të reja, me rreth 9.40% të totalit të ndërtimeve në gjithë Shqipërinë, për shkak të kërkesës së ulët dhe lëvizjes së popullsisë drejt zonave qendrore dhe bregdetare.


Normalisht, me rritjen e kërkesës për banesa të reja, është rritur dhe çmimi i tyre në vite. Rritja më e madhe vërehet gjatë pesë viteve të fundit dhe një rritje të dukshme të çmimeve


vërehet në vitin 2008, në krahasim me vitin 2007. Gjatë vitit 2009, për shkak të krizës globale e cila goditi dhe Shqipërinë, çmimet e banesave nuk janë rritur por as nuk janë ulur dhe i njëjti trend vazhdon dhe për vitin 2010 e deri më sot.


Gjithashtu, gjatë vitit 2011 nuk janë bërë ndërtime të reja të destinuara për biznes. Stoku i fundit i regjistruar dhe i destinuar për shërbime biznesi i përket gjysmës së parë të vitit 2010 dhe është në masën 63 400 m², pas ndërtimit dhe vënies në funksionim të Qendrës Tregtare ABA.


Qyteti i Tiranës vlerësohet me probleme shqetësuese nga radoni. Ai shtrihet mbi një trashësi aktive të kuqe, që prodhon radon. Pjesa që dominohet nga shtëpitë apo pallatet e ulëta është më e predispozuar për nivele të ngritura radoni.


Kjo trashësi aktive, detyrimisht duhet izoluar për të mos e sjellë radonin në ndërtesë. Sipërfaqja prej 13 km² me rrezikshmëri të lartë, ka poshtë saj trashësinë aktive të subargjilave të kuqe, por ende nuk është e qartë nëse në sipërfaqen me rrezikshmëri të ulët, kjo trashësi mungon apo është më e thellë. Konsiderohet me rëndësi detajimi i studimeve të kësaj natyre për të gjithë truallin e qytetit të Tiranës. Bazuar në sa më sipër është i nevojshëm legalizimi i nevojës së kryerjes së studimeve të radonit në sheshet e ndërtimit. Projektuesit dhe ndërtuesit duhet të marrin masa në ndërtimet për të mos lejuar futjen e radonit në ndërtesa.


 


Çfarë është radoni


Ky gaz radioaktiv, për arsye të ndryshme, del nga poret e tokës që përmban elemente radioaktive dhe përhapet në sipërfaqe të saj. Për këtë arsye, ky gaz shfaqet edhe në brendësi të banesave, sidomos në bodrumet dhe në katet e para, por kurrsesi nuk përjashtohet mundësia e pranisë së tij edhe në katet e sipërme


 


Ndërtimet para dhe pas ‘90


Në tri dekadat e fundit para viteve 1990, në çdo vit ndërtoheshin mesatarisht 165 godina të reja. Tre të katërtat (77%) e këtyre godinave ishin shtëpi për një familje dhe shumica e pjesës tjetër


(22% e totalit) ishin banesa për shumë familje, me lartësi 4 – 6 kate. Në periudhën pas vitit 1996, numri i ndërtimeve të reja për çdo vit është 24-fishuar, duke arritur në 3.953 godina, ku rreth


95% janë shtëpi për një familje. Nga ana tjetër, është përshpejtuar ndërtimi i objekteve të larta, ku rreth 3/4 e këtyre objekteve në Tiranë janë ndërtuar në 10-vjeçarin e fundit.


Sipas rezultateve paraprake të Censusit 2011, të publikuara nga INSTAT, në qytetin e Tiranës ka 46.401 ndërtesa dhe 154.788 banesa.