Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e rreth 3 milionë euro pasurive të ndryshme të Elton Deliut, 32-vjeçarit, i cili u ekzekutua tre vjet më parë sëbashku me nënën e tij. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Deliu ishte person i skeduar nga policia për trafik droge, ndërsa në emër të tij si edhe të disa personave të afërm të rrethit familjar dhe shoqëror, janë të regjistruara pasuri që nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohen si të prejardhura nga aktiviteti i kriminal i viktimës.
Sipas organit të akuzës, në emër të 32-vjeçarit, por edhe nënës së tij, Flutura Deliu, janë sekuestruar 10.000 m2 sipërfaqe toke në Tiranë, 3 lokale, 3 apartamente në kryeqytet, 1 vilë në Durrës si dhe 4 automjete, njëri prej të cilëve furgon i blinduar. Sipas organit të akuzës, në emër të së ndjerës Flutura Deliu, rezultojnë të regjistruara 12.300 m2 sipërfaqe toke në Durrës si dhe llogari në dy banka, nëpërmjet të cilave, ka kryer gjatë vitit 2008 transaksione në vlerat 650.000 euro dhe 954.000 USD. Togat e zeza kanë vendosur sekuestro preventive edhe mbi prona të tjera të paluajtshme të familjes Deliu, por që administroheshin nga persona të tjerë të afërt me të.
Elton dhe Flutura Deliu u ekzekutuan në banesën e tyre në rrugën “Perlat Rexhepi” në dhjetor të vitit 2008. Të paktën dy persona, mendohet se prej kohësh ruanin lëvizjet e 32-vjeçarit ndërsa pasi ishin siguruar se ai ishte në banesë, janë ngjitur në katin e katërt të pallatit të ri dhe i kanë rënë ziles së hyrjes ku banonte familja Deliu.
Sipas policisë, në atë kohë 2 agresorët kanë bërë lëvizje normale për mos të rënë në sy tek banorët e pallatit. Ka qenë Flutura Deliu, e cila i ka hapur derën dy ekzekutorëve, që nuk kanë hezituar ta qëllojnë për vdekje në kokë ndërsa më pas, po brenda ambienteve të shtëpisë kanë qëlluar në kokë dhe trup 32-vjeçarin, Elton Deliu, i cili humbi jetën rrugës për në spitalin Ushtarak.
27 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
