Një person i shpallur në kërkim për mashtrim ka përfunduar në pranga pasi ishte dënuar nga gjykata. Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar Xhelal Hoxha, 69 vjeç, banues në Tiranë.


Ndalimi i tij është bërë i mundur pasi ky shtetas ka qenë i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësorë Tiranë me 11 vite e 8 muaj burg për veprën penale të “Mashtrimit”.


Bëhet fjalë për një borxh prej 50 mijë euro të marrë në vitin 2006 dhe që nuk e kishte kthyer. Për borxhin që kishte marrë, 69-vjeçari kishte lënë garanci 5 apartamente në një pallat që po ndërtonte në Golem në atë kohë, dhe për këtë kishin nënshkruar një kontratë.


Por, huadhënësi kishte verifikuar nga punonjësit e Hipotekës se Xhelal Hoxha nuk kishte asnjë objekt në të dhënat e regjistruara në kontratën noteriale.


Gjatë një takimi sqarues, Hoxha i ka premtuar kallëzuesit Sh.M., një apartament në një pallat në ndërtim në Durrës. Në vijim, pas dyshimeve se ishte mashtruar, Sh.M., ka kërkuar kthimin e parave, veprim që nuk është kryer nga ndërtuesi.


Pavarësisht kërkesave të të dëmtuarit, i pandehuri që nga viti 2008 e në vazhdim nuk ka pranuar që t’ia kthejë shumën prej 50 000 eurosh të dëmtuarit Sh.M. Sipas dëshmisë së kallëzuesit në gjykim, pas kallëzimit i pandehuri i ka dhënë dy apartamente në Durrës dhe e konsideron si të shlyer borxhin.


4 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)