Gjykata ka vendosur të lërë në burg, ish-efektivin Fatmir Hoxha, shoferin e Kryekomisar Adem Tahiraj, duke hedhur kështu kërkesën e avokatëve mbrojtës për rishikim të masës së sigurisë për klientin e tyre. Më datën 24 shtator,  Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën “Arrest me burg” për dy ish-efektivët e policisë, Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturanin, shoqëruesit e Kryekomisarit të Shijakut, i vrarë pasditen e 13 shtatorit në Katund Sukth.


Pavarësisht se Prokuroria e konsideroi si të paligjshëm arrestimin e dy ish-efektivëve, ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” me akuzën për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar vrasjen e kryekomisar Tahiraj. Pala mbrojtëse apeloi vendimin për një masë sigurie më të lehtë deri në zbardhjen e plotë të rrethanave, por gjykata ka vendosur lënien në burg të ish-efektivit Fatmir Hoxha.


Kryekomisar Adem Tahiraj, shef i Komisariatit të Policisë së Shijakut, u ekzekutua me pesë plumba pasditen e 13 shtatorit në fshatin Katund Sukth, 12 km larg Durrësit. Policia ndaloi pas disa orësh autorin e krimit, Ilir Xhakja, një person me precedentë të rëndë penal.


9 Tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)