Kufizimet 


Dhjetëra nxënës dhe studentë kanë mbetur pa mësim për ditë me radhë. Për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe problemeve në shpërndarjen, qindra studentë e nxënës shkollash kanë mbetur mbrapa me zhvillimin e leksioneve dhe orëve mësimore.


Një pjesë e institucioneve arsimore në periferi, në Rrugën e Elbasanit, në Kombinat, Larakë, në zonën e “21 Dhjetorit”, në Rrugën e Kavajës por edhe zemër të Tiranës, në Tiranën e Re, në Selitë kanë probleme të vazhdueshme me kufizimin e energjisë, ndërprerjet, remontet, për shkak të situatës aktuale energjetike.


Studentët dhe nxënësit që zhvillojnë mësimin në turnin e dytë e kanë pasur thuajse të pamundur të zhvillojnë seminare, leksione e orë mësimi pas perëndimit të diellit. Përveç ngrohjes atyre u mungon drita për të parë lektorin, mësuesen, për të lexuar e për të shkruar. Në një situatë të tillë studentët janë kthyer në shtëpi, ndërsa nxënësit kanë bërë mësim me orë të plota deri në orën 15:00. Më pas orët e fundit janë bërë me orar të shkurtuar ose nxënësit janë larguar në shtëpi.


“Universitetet janë autonome, mund të vendosin vetë se çfarë vendimi të marrin në raste të tilla, ndërsa shkollat nga informacioni që kemi kanë diskutuar çështjen e zhvillimit të orëve me orar të shkurtuar në bashkëbisedim me përfaqësuesit e drejtorisë arsimore. Zgjidhjet në këtë situatë mbeten alternative”, sqaroi zyrtarisht Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.


Ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike kanë ndëshkuar jo vetëm familjet shqiptare në pjesën më të madhe të kryeqytetit, por edhe institucionet arsimore. Bëhet fjalë për universitetet publike, të cilat për katër ditë me radhë, janë përballur me terr energjetik, çka ka pezulluar mësimin në orët e pasdites, si për studentët e sistemit bachelor edhe për ata të masterit.


Studentët shprehen të shqetësuar, njëkohësisht të revoltuar, pasi ndërsa ulen në banka, përveç se duhet të durojnë të ftohtin mbeten edhe pa drita. Në këto kushte, mësimi pezullohet. Mirëpo kjo ndëshkon jo vetëm studentët, por edhe pedagogët, të cilët thonë për gazetën “Shqip” se në javët në vazhdim, nëse situata energjetike do të normalizohet, do të përgatisin një kalendar, për të shlyer orët e humbura. Sipas diskutimeve, studentët do të kenë një mundësi të dytë për të ndjekur leksionet dhe seminaret, por kjo vetëm nëse CEZ nuk do të ndërpresë më dritat.


“Jam shumë dakord që orët të shlyhen në një moment tjetër, por kjo na penalizon, për shkak se do të jemi të mbingarkuar. Për më tepër që jemi në prag të pushimeve të fundvitit. Kjo e vështirëson situatën, pasi orët ose do të duhet t’i ndjekim përpara se të përfundojë shkolla, ose do t’i humbim fare, kështu që ne do të jemi të detyruar t’i mësojmë vetë ato”, tha Elvira Musa, studente për master shkencor në Universitetin e Tiranës.


Ndërprerja e energjisë elektrike nuk ka prekur vetëm universitetet publike, por edhe ato private, mirëpo në rastin e dytë, situata ka qenë e zgjidhur, për shkak se gjeneratorët kanë bërë punën e tyre, duke mos lejuar pezullimin e mësimit.


 


Shkollat


Gjimnazi “Myslym Keta”


Shkollat 9-vjeçare të Kombinatit


Shkolla “Kosova”


Gjimnazi Petro Nini Luarasi


Shkolla Edith Durham


Liceu Artistik i Mesëm


Gjimnazi “Qemal Stafa”


Gjimnazi Partizani


Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë


Fakulteti i Ekonomikut


Fakulteti i Juridikut


Fakulteti Shkencave të Natyrës


Fakulteti i Mjekësisë


Shkolla “Skënder Çaçi”


Shkolla “Ismail Qemali”


Shkolla “Jeronim De Rada”


Disa shkolla 9-vjeçare në zonën e Zogut të Zi


Institucione arsimore në zonën e “21 Dhjetorit”