Situata e ndërtimit të një pallati mbi kolektorin e ujërave të ndotura në rrugën “Faik Konica” në Tiranë është kthyer në një problem serioz për banorët, të cilët prej më shumë se dy vitesh përballen me përmbytje të garazheve dhe dalje të ujërave të zeza në sipërfaqe sa herë ka reshje shiu.
Sipas banorëve, ndërtimi mbi kolektor ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në ndotje të ambientit, erë të rëndë dhe rrezik për shëndetin. Ata shprehen se, ndonëse paguajnë të gjitha detyrimet, i pastrojnë vetë garazhet e përmbytura me ujëra të zeza, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe dezinfektim.
Në një përballje të realizuar nga emisioni Fiks Fare, qytetari u ballafaqua me inxhinierin e Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), Enton Osmani.
Sipas inxhinierit të UKT-së, kolektori kalon poshtë pallatit dhe çdo ndërhyrje për ta spostuar do të rrezikonte strukturën mbajtëse të godinës. Ai theksoi se devijimi kërkon një trase të re rreth 70 metra, por zona është e mbushur me prona private dhe mungesa e kuotave topografike e bën zgjidhjen teknike shumë të vështirë. Aktualisht, sipas UKT-së, e vetmja zgjidhje është ndërhyrja me sonda dhe pompa për zhbllokime periodike.
Nga ana tjetër, qytetari këmbëngul se devijimi është i realizueshëm dhe se problemi lidhet me ndërtime pa leje në zonë, të cilat pengojnë kalimin e tubacionit të ri. Inxhinieri pranoi se pronat përreth nuk janë në administrim të Bashkisë apo UKT-së, çka e komplikon më tej situatën.
Në një përgjigje zyrtare me shkrim për “Fiks Fare”, UKT sqaroi se kolektori është inspektuar disa herë dhe janë kryer ndërhyrje për zhbllokimin e rrjetit. Institucioni thekson se ndërtimi i pallatit mbi kolektor dhe mbështjellja e tij me beton e bëjnë operimin dhe mirëmbajtjen jashtëzakonisht të vështirë, ndërsa zhvendosja paraqet pengesa teknike dhe ligjore. Sipas UKT-së, leja e ndërtimit është dhënë pa u marrë më parë miratimi i institucionit përkatës.
Megjithatë, UKT garanton se do të vijojë ndërhyrjet emergjente sa herë të krijohen probleme, ndërsa një zgjidhje përfundimtare mbetet e kushtëzuar nga një projekt i ri dhe bashkëpunimi me bashkinë dhe pronarët e zonës.
Ndërkohë, banorët vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira, mes ndotjes dhe pasigurisë, duke pritur një zgjidhje konkrete që do t’i japë fund përmbytjeve të përsëritura./TCH
