Bashkia: Do të zbatohet projekti fillestar. Firma që ndërtoi në mënyrë të paligjshme, do të largohet


Zona e njohur si ish-Fusha e Aviacionit do të ndërtohet nga e para. Hapësirat në këtë lagje të Tiranës do të jenë sipas planit urbanistik fillestar. Firma, e cila ka zaptuar hapësirën në këtë zonë, sipas bashkisë është e paligjshme dhe do të largohet pas një vendimi që do të marrë bashkia.


Pas protestave të banorëve për zaptimin e hapësirës publike, në parkun e ish-Fushës së Aviacionit nga një subjekt privat, ka reaguar Bashkia e Tiranës. Kreu i saj ka deklaruar se ky subjekt po vepron në mënyrë të jashtëligjshme dhe ndaj tij do të merren të gjitha masat. “Firma ka vepruar në mënyrë të paligjshme dhe do të largohet nga territori që ka zënë”, tha Lulzim Basha, kreu i bashkisë.


Sipas tij, në këtë hapësirë do të zbatohet me përpikëri plani i parë urbanistik, i cili nuk është zbatuar siç duhet që në fillimet e tij. “Kemi 6 muaj që jemi të përkushtuar drejt zgjidhjes dhe kemi nënshkruar një marrëveshje për mirëmbajtjen e ish-Fushës së Aviacionit. Çdo përpjekje për të cenuar në mënyrë të padrejtë projektin fillestar do të ndeshet me masa ligjore”, tha Basha.


Banorët pranë ish-Fushës së Aviacionit e kanë kundërshtuar disa herë pushtimin e hapësirave publike për llogari të një biznesi lodrash. Gjithashtu kanë kundërshtuar edhe shtrimin me beton të hapësirave të gjelbra, gjatë ndërtimit të parkut, duke u shërbyer jo interesave të publikut, por interesave të pronarëve të lokaleve, që tashmë i kanë pushtuar këto hapësira me tavolina.


“Fusha e Aviacionit është investuar sipas një projekti të hartuar nga Instituti i Urbanistikës, kur kam qenë ministër i Transportit. Për fat të keq, pas investimit, nuk është bërë asgjë për ta mirëmbajtur dhe ka degraduar në pjesë të mëdha të saj”, tha kreu i bashkisë. Sipas tij, ekspertët vendorë, duke e njohur këtë realitet, kanë gjashtë muaj që mendojnë për një zgjidhje.


“Javën e kaluar kemi nënshkruar një marrëveshje me një numër partnerësh të sektorit privat, për mirëmbajtjen e Fushës së Aviacionit. Çdo përpjekje për të cenuar në mënyrë të padrejtë projektin fillestar, jo vetëm nuk e ka aprovimin tonë, por do të ndeshet në masa ligjore nga ana jonë, ndërkohë që së shpejti, masat së bashku me sektorin privat, jo vetëm do të rikuperojnë ato karakteristika fillestare të projektit, por do i zgjerojnë më tej ato, duke shtuar gjelbërimin dhe hapësirat publike. Firma ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe do të largohet nga territori që ka zënë”, argumentoi kreu i bashkisë. Lorina Mixha