26742517673_f3255219e8_h


U përurua sot në lulishten përballë Bibliotekës Kombëtare monumenti i miqësisë Shqipëri-Kuvajt. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Kuvajtit në vendin tonë, Fayez Al-Jassim, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, Abdulëahab Al-Bader.


Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky monument është dëshmi, së pari e miqësisë së ngushtë që ka ekzistuar mes dy vendeve tona dhe, së dyti, shenjë mirënjohje ndaj ndihmës dhe kontributit që ka dhënë Kuvajti në ndërtimin e një sërë veprash publike në Shqipëri, por në mënyrë të veçantë në Tiranë.


“Marrëdhëniet mes shteteve tona janë të shkëlqyera, porajo që e bën këtë marrëdhënie kaq të fortë është baza e miqësisë që ekziston mes dy vendeve dhe pikërisht në këtë fushë, duke promovuar kontaktet njerëzore, mes njerëzve tanë, ku duhet të përpiqemi të bëjmë më shumë. Nuk është aspak koincidencë që ky monument është konceptuar në formën e një vend takimi, ku njerëz të zakonshëm mund të ulen, të pushojnë, bisedojnë nën hijen që ofron kjo shenjë miqësie”, tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.


Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të jenë më të ngushta në bashkëpunimin për projekte konkrete. “Bashkëpunimet kulturore midis dy vendeve, projektet e binjakëzimit apo investimet e rritura në turizëm dhe në investimet private, janë të gjitha këto fusha ku duhet të investojmë kohën dhe energjitë tona. E pikërisht, përmes këtyre veprimeve, forcohen marrëdhëniet mes njerëzve, popujve”, tha Veliaj.


Nga ana tjetër, ai u ndal edhe te ndihma që Kuvajti i ka dhënë vendit tonë në zhvillimin e një sërë projektesh, kryesisht infrastrukturore dhe sociale.


30 maj 2016 (gazeta-Shqip.com)