Një 33-vjeçar nga Tirana është plagosur me armë zjarri pasditen e sotme, prapa qendrës tregtare “Casa Italia” në dalje të kryeqytetit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 dhe policia ende nuk ka arritur të krijojë një skenë të qartë të ngjarjes që ka për autor 32-vjeçarin Besnik Ismailgeci, me detyrë përgjegjës roje.
Nuk dihet ende nëse 32-vjeçari kishte për detyrë të ruante qendrën tregtare apo ndonjë biznes tjetër të asaj zone. Paraprakisht mësohet se 33-vjeçari, ka goditur me levë disa makina që ishin të parkuara pranë kësaj qendre tregtare. Menjëherë ka ndërhyrë roja, i cili ka tentuar ta pengojë dhe në përpjekje e sipër, e ka qëlluar me armën e shërbimit.
33-vjecari, identiteti i të cilit nuk bëhet ende me dije është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ndërkohë policia ka bërë të mundur shoqërimin e autorit.
8 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)