Një 35-vjeçar është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkolla të pastra”, i fokusuar në parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore.

Në zonën e Kombinatit, në afërsi të perimetrit të sigurisë së një shkolle, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, kanë kapur në flagrancë shtetasin me inicialet A. K., 35 vjeç.

Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së tij, policia sekuestroi mbi 1 kilogram Cannabis Sativa, një sasi kokaine, tre peshore elektronike, dy telefona celularë dhe një shumë parash, e dyshuar se ishte përfituar nga shitja e lëndëve narkotike në doza.

Sipas policisë, nga informacionet e siguruara dhe veprimet hetimore dyshohet se 35-vjeçari tentonte të shiste lëndë narkotike pranë shkollave, si dhe në ambiente të tjera në zonën e Kombinatit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme.