IKMT dhe Policia e Shtetit kanë ndërhyrë për shembjen e një objekti të ndërtuar pa leje në gjirin e Shën Janit, në zonën e mbrojtur të Karaburunit.

Operacioni është zhvilluar në prani të drejtorit të Policisë, Skënder Hita, kryeinspektorit të IKMT-së, Afrim Qëndro, dhe drejtorit të Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu.

Bëhet fjalë për një strukturë prej druri, e cila shërbente si lokal dhe restorant. Objekti është konstatuar gjatë kontrolleve të autoriteteve për ndërtimet pa leje në zonën e mbrojtur.

Gjatë ndërhyrjes, Policia ka shoqëruar një person, i cili dyshohet se është përgjegjës për ndërtimin e paligjshëm.

Autoritetet pritet të kryejnë verifikime të mëtejshme për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit.