Kryebashkiaku i Tiranës la burgun e Durrësit për gati tre orë, pasi me kërkesë të prokurorëve ai duhet të merrej në pyetje.

Për gati 1 orë e 30 minuta në prani të avokatit të tij, kryetari i bashkisë ka dhënë qëndrimin e tij, e po ashtu është vënë në dijeni se përveç korrupsionit në nëntë raste dhe pastrimit të parave, po hetohet edhe për një vepër tjetër, atë të futjes së sendeve të ndaluara në paraburgim.

Dyshimet e prokurorëve Ols Dado dhe Altin Dumani janë që kryebashkiaku ka folur përmes telefonit të një oficeri të burgut të Durrësit. Raportohet se edhe ky i fundit është nën verifikim.

Apeli nuk e ka zbardhur ende vendimin në të cilin aprovoi arrestin në burg jo vetëm për shkak të rrezikshmërisë së veprave për të cilat po hetohet kryebashkiaku por edhe për përpjekjet gjatë paraburgosjes për të ndikuar në procesin hetimor. Një ditë më parë në SPAK ishte edhe biznesmeni Elman Abule, për të cilin gjykata e apelit e zbuti masën duke e dërguar nga burgu në arrest shtëpie.