Një 43-vjeçare spanjolle është shpallur në kërkim në Vlorë, pasi dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion disa shtetase të huaja.

Aktiviteti zhvillohej në banesën që ajo kishte marrë me qira në lagjen “Pavarësia” të qytetit bregdetar, ku ajo shfrytëzonte 3 vajza nga Venezuela për prostitucion.

Së fundmi, janë shtuar rastet kur shtetas të huaj i kthejnë banesat e marra me qira në qytetet e Shqipërisë në “fole prostitucioni”. Këtë aktivitet e ushtrojnë shtetas nga vendet e Amerikës latine apo Azia, si një rrugë për të siguruar të ardhura.

Njoftim i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e rasteve të shfrytëzimit të prostitucionit, kanë evidentuar dhe goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast:

-u shpall në kërkim shtetasja A. A., 43 vjeçe, banuese në Spanjë. Kjo shtetase kishte marrë me qira një apartament në lagjen “Pavarësia 3”, Vlorë, në të cilin dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion, shtetase të huaja;

-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset venezuelase R. L., 25 vjeçe, K. C., 30 vjeçe dhe H. S., 30 vjeçe, banuese në Vlorë.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetases së shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së saj kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.