Mbrëmja e së premtes para Kryeministrisë u mbyll pa incidente, ku më pak se 100 të rinj qëndruan për disa orë në bulevard. Edhe pse tubimi ishte i qetë, prania e tyre mbajti në vëmendje mediat dhe në gatishmëri forcat e policisë.

Gjatë qëndrimit u dëgjuan thirrje të herëpashershme, kryesisht në lidhje me protestën e paralajmëruar për këtë të shtunë. Organizatorët e kanë cilësuar atë si një protestë kombëtare, ku pritet të ketë edhe mbështetje nga diaspora.

Ndërkohë, dita e 11-të e protestës studentore nisi me një marshim nga Universiteti Politeknik i Tiranës. Studentëve iu bashkuan pedagogë, të cilët u bënë thirrje kolegëve të tyre që të dalin nga auditorët dhe t’i bashkohen lëvizjes, duke theksuar se mbështetja e tyre nuk ka karakter politik.

Marshimi vijoi drejt Kryeministrisë, ku protestës iu bashkuan edhe studentë të Mjekësisë. Në emër të personelit mjekësor u lexua një deklaratë në mbështetje të kërkesave të studentëve.

Mes protestuesve ishte edhe 20-vjeçari Jon Sinoimeri, të cilin kryeministri Edi Rama e kishte përmendur gjatë ditës, duke pretenduar se kishte precedentë penalë në fushën e narkotikëve. I riu i mohoi këto pretendime, duke deklaruar se është student i Mjekësisë dhe se, sipas tij, akuzat synojnë ta intimidojnë.

Në vijim të protestës, studentët u ndalën edhe te tavolinat e dialogut të vendosura nga kryeministri, duke vijuar kështu kundërshtimin e tyre ndaj situatës politike dhe institucionale në vend.