Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar reagon institucionalisht ndaj bllokimit të pagave të magjistratëve dhe administratës gjyqësore, duke paraqitur padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Të paditur janë Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit.
20 përfaqësues të gjykatave, përfshirë edhe atë të Posaçme, por edhe të Prokurorisë, kanë nënshkruar kallëzimin penal ndaj Ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm, Klentian Kërri, dhe përgjegjësve të degëve të Thesarit. Shkak është bërë refuzimi, sipas tyre, i kalimit të pagave me rritjen sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ky veprim është shoqëruar edhe me reagimin e kryeministrit Edi Rama. Në rrjetet sociale, ai thekson se në padi duhet të ishte edhe emri i tij, duke shtuar se rritja e rrogave duhet të bëhet vetëm pas miratimit të ligjit në Kuvend.
“Mungon emri im dhe ai i ministrit të Drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e Thesarit të Shtetit. Vetëm Parlamenti mund ta bëjë këtë”, tha Rama.
