Kthimi i Eva Dumanit këtë të shtunë në Shqipëri nga kampi famëkeq Al Hol ka rikthyer në vëmendje dramën e gjatë të familjeve që prej vitesh presin lajme nga të afërmit e tyre të mbetur në Siri. E tillë është edhe historia prekëse e 90-vjeçarit Dylber Shuli nga Zagorçani i Pogradecit, i cili prej më shumë se një dekade jeton me ankthin, mallin dhe shpresën për kthimin e mbesave të tij në shtëpi.
Ai vijon të mbajë kontakte me Elona Shulin, e njohur me emrin Asia, Erma Shuli, Jusra Shuli, Ibrahim Shuli, si dhe me Suheib Çake, djali i Elonës. Djali i tij, Krenari, së bashku me bashkëshorten, u larguan drejt Sirisë 12 vite më parë, duke marrë me vete tre vajzat: Elonën, Ermen dhe Jusren,por çifti u vra në Siri disa vite me parë. Djali tjetër, Ibrahimi, ka lindur në Siri.
90-vjeçari tregon se njëra prej vajzave është martuar në moshë të mitur dhe ka sjellë në jetë një djalë. Ai rrëfen se prej më shumë se një viti nuk ka kontakt me nipërit dhe mbesat që ndodhen në Siri. Për shkak të vështirësive ekonomike, 90-vjeçari u ka dërguar atyre edhe para për të siguruar jetesën.
I moshuari pret dhe shpreson kthimin e tyre në Shqipëri dhe i bën kërkesë autoriteteve t’i shpëtojnë nga Kampi Al- Hol.



