AKU në pikën kufitare të Hanit të Hotit ka bllokuar 15 kamionë më misër, ku pesha totale e misrit të dyshuar me aflatoksinë kap shifrën e 420 tonëve.
Inspektorët e Ushqimit janë duke zbatuar urdhërin e ministrit Andis Salla i cili ka kërkuar analizim të çdo ngarkese me misër.
Më 8 nëntor, një kamion me 25 tonë misër rifuxho për bagëti nga Serbia u bllokua po ashtu në doganën e Hanit të Hotit. Kamioni po hynte në Shqipëri nga Mali i Zi, kur është ndaluar nga autoritetet shqiptare për shkak se ka rezultuar me normë të lartë aflatoksine.
Ndërsa më 14 nëntor Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Elbasan bllokoi një tjetër sasi prej 50 tonësh misër rifuxho për bagëti, e ardhur gjithashtu nga Serbia, pas zbatimit të urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë për ndalimin dhe kontrollin rigoroz të produkteve të importuara nga ky vend.
