Buxheti
Rritet fondi, por “qesja” varet nga arkëtimet, shpenzimet, rritja e çmimeve të ushqimeve
Lorina Mixha
Vitin e ardhshëm, Ministria e Punës ka më shumë para në arkën e saj, por shpërndarja e tyre, menaxhimi dhe ristrukturimi gjatë vitit shkon drejt tkurrjes.
Përveç pagave, pensioneve, projekteve dhe gjithçka tjetër që përfshin mbrojtja sociale, më pak para pritet t’u alokohen institucioneve të jetimëve, të moshuarve apo personave me aftësi të kufizuar. Madje sipas buxhetit për Ministrinë e Punës, kuota për secilin jetim, apo person në qendër rezidenciale, do të jetë sa e parashikon ligji.
Në këtë rast, nga 350 mijë lekë deri në 600 mijë lekë të reja që u jepen qendrave rezidenciale në vit për përballimin e shpenzimeve të ushqimeve dhe veshmbathjeve, këto fonde janë të pamjaftueshme për kërkesat dhe nevojat. Vit pas viti për të plotësuar këto kërkesa, nevoja për një jetesë minimale, kanë kontribuar organizatat, biznesi dhe çdokush që ka pasur dëshirë për të ndihmuar jetimët dhe të moshuarit.
Fondet tkurren edhe duke pasur parasysh krizën dhe PBB, Produktin e Brendshëm Bruto, për “faj” të të cilit vetëm këtë vit, buxheti ndryshoi 4 herë dhe u shkurtua në mënyrë të konsiderueshme. Konfirmimi për tkurrjen e fondeve vjen nga institutet në mbrojte të jetimëve, të cilët kanë sqaruar se nga buxheti i vitit 2012, në bazë të kuotës ditore që parashikon ligji, institucionet e përkujdesit nuk ia dalin dot të plotësojnë kërkesat dhe nevojat, dhe në një situatë të tillë, buxheti i shtetit është i pamjaftueshëm për të mbuluar shpenzimet e qendrave rezidenciale, për jetimët apo për moshën e tretë.
Ekspertët e financës në institucionet e përkujdesit sqarojnë se pavarësisht ligjit për kuotimin e secilit individ për ushqime e veshmbathje, limiti i shpenzimeve është edhe më i lartë se në kohën e miratimit të ligjit. Çmimet dhe kostot janë më të shtrenjta se vite më parë dhe për t’ia dalë “MPÇSSHB nëpërmjet buxhetit të parashikuar për vitin 2013, garanton standardet e shërbimeve, sipas kuotave të përcaktuara në ligj për ushqim, veshmbathje, aktivitetet integruese, kushte materiale dhe infrastrukturën e nevojshme për 1,087 klientët rezidenciale e ditore të 28 Institucioneve të Përkujdesit Shoqëror, në të cilat trajtohen fëmijët jetimë, të moshuar të braktisur, viktima të trafikimit, fëmijët me aftësi të kufizuar si dhe viktima të dhunës në familje”, thuhet në buxhetin e detajuar për “qesen” e Ministrisë së Punës.
Sipas planifikimit, për vitin 2013, kemi parashikuar përfundimin e rikonstruksioneve të Shtëpisë së të Moshuarve, Tiranë, dhe Qendrën Polivalente Poliçan, në një vlerë totale prej 59.5 milionë lekësh. Fondi i parashikuar për Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta arrin në 59,67 miliardë lekë, ose 4.17% të PBB, ndërsa një vit më parë ky fond ishte 53.4 miliardë lekë.
Janë parashikuar mbështetje me shërbime publike të përkujdesit shoqëror rezidencial dhe ditor të 9% më shumë fëmijëve në nevojë, 12% më shumë për fëmijët me aftësi të kufizuar, 16% më shumë për viktimat e trafikimit, 25% më shumë për viktimat e dhunës dhe 7% më shumë për të moshuarit në nevojë krahasuar me vitin 2012.
Të dhëna
Rritja – Buxheti i këtij viti është 8,56% më i lartë se buxheti i akorduar për vitin 2012 këtij institucioni, ose 6,2 miliardë lekë më shumë.
Buxheti – I Ministrisë për Fondin për pagesën e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë është rritur edhe për këtë vit, nga 17 miliardë që ishte për vitin 2012, në 17.4 miliardë lekë për 2013
Tkurrja – E fondeve për institucionet e përkujdesit për jetimët apo të moshuarit bëhet për shkak të ndryshimeve gjatë vitit, rritjes së çmimeve të produkteve të shportës, për shkak se ky buxhet varet kryesisht nga PBB, vjelja e taksave, arkëtimet, shpenzimet gjatë gjithë vitit