ngjarje e rëndë ka tronditur provincën e Padovës, ku autoritetet italiane zbuluan trupin e pajetë të një 35-vjeçari shqiptar në ujërat e lumit Tergola. Viktima është identifikuar si Ferdinant Hoti.
Trupi i tij u gjet të martën, më 8 shtator, brenda një qeseje të zezë, në pjesën e pasme të një automjeti tip “Fiat Bravo”, i cili kishte përfunduar në lumë pranë një dige.
Ekzaminimet e para mjeko-ligjore kanë konfirmuar se Hoti ishte vrarë me armë zjarri dhe se në momentin e gjetjes i kishte duart e lidhura. Sipas dyshimeve fillestare, viktima mund të jetë qëlluar nga një distancë e afërt dhe më pas trupi është transportuar me automjet për t’u hedhur në lumë.
Hetuesit po e trajtojnë ngjarjen si një ekzekutim të mundshëm, ndërsa një nga pistat kryesore lidhet me një larje hesapesh të dyshuar në botën e trafikut të drogës. Megjithatë, kjo pistë mbetet ende nën verifikim dhe nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e vrasjes.
Hetimet drejtohen nga Karabinierët e Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Padovës, në bashkëpunim me Kompaninë e Cittadella-s, nën koordinimin e prokurores Claudia Brunino.
Pas identifikimit të viktimës, hetuesit janë përqendruar te orët e fundit të jetës së tij. Po verifikohen lëvizjet e Hotit, personat me të cilët ka pasur kontakte dhe çdo takim apo komunikim të mundshëm para zhdukjes.
Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e ngjarjes mund të luajnë kamerat e sigurisë. Zona ku u gjet automjeti ndodhet pranë një rrethrrotullimi dhe një aksi të rëndësishëm rrugor, ndërsa është e ndriçuar gjatë natës dhe monitorohet nga kamera të ndryshme.
Karabinierët po analizojnë pamjet për të rindërtuar itinerarin e “Fiat Bravo”-s përpara se automjeti të përfundonte në ujërat e Tergolës. Sistemet e kontrollit të trafikut në zonë mund të ndihmojnë në identifikimin e targave dhe gjurmimin e automjeteve që kanë kaluar në pika të ndryshme.
Një prej pistave që po verifikohet është edhe mundësia që “Fiat Bravo” të jetë shoqëruar nga një automjet tjetër. Hetuesit po kërkojnë të kuptojnë nëse një makinë e dytë ka ndjekur ose paraprirë automjetin e përdorur për transportimin e trupit dhe nëse ajo mund të jetë përdorur më pas për largimin e autorëve.
Në hetim janë përfshirë edhe kamerat e bizneseve pranë vendit të ngjarjes, përfshirë ato të një punishteje zdrukthëtarie. Pamjet e natës para zbulimit të automjetit janë duke u shqyrtuar, por deri tani nuk kanë prodhuar prova përfundimtare.
Një tjetër element që ka ngritur pikëpyetje është pronësia e automjetit. “Fiat Bravo” nuk rezulton të ketë qenë në pronësi të viktimës, por ishte i regjistruar në emër të një shtetasi italian me banim në zonën e Venedikut. Sipas raportimeve, pronari u ka deklaruar hetuesve se makina nuk ishte vjedhur.
