Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Fier, ku një i moshuar është dhunuar nga një person që tentoi t’i grabiste banesën.

Sipas policisë, autori është 53-vjeçar Pajtim Dhana, i cili hyri me forcë në banesën e të moshuarit në tentativë për të vjedhur. Ai e ka kërcënuar fillimisht me thikë por pasi ka hasur në rezistencën e tij, hajduti e ka dhunuar dhe më pas është larguar me nxitim. Fatmirësisht, policia ka rënë në gjurmët e tij, duke e arrestuar.

Njoftimi i policisë:

Fier/ Tentoi të vidhte para në banesën e një të moshuari, të cilin e dhunoi dhe e kanosi me thikë, kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari në kërkim. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, si rezultat i kontrolleve intensive dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasin:

-P. Dh., 53 vjeç, banues në fshatin Pishë Poro, Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se në orët e para të datës 18.04.2026, është futur i maskuar në banesën e një të moshuari, në fshatin Pishë Poro, e ka dhunuar dhe kanosur me thikë atë, që t’i vidhte një shumë parash, por është larguar pa vjedhur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë.