Një ngjarje e pazakontë dhe e rëndë ka dalë në dritë në zonën e Mystras, në Greqi, ku autoritetet kanë zbuluar trupin e pajetë të një të moshuari të fshehur brenda një frigoriferi ngrirës në bodrumin e një hoteli të braktisur.

Sipas mediave greke, hetimet paraprake tregojnë se burri mund të ketë ndërruar jetë katër ose pesë vite më parë. Pavarësisht kësaj, vdekja e tij nuk ishte raportuar kurrë zyrtarisht, çka bëri që ai të rezultonte ende i gjallë në dokumentacionin shtetëror.

Prokurorët dhe policia po përqendrohen te pista e mashtrimit ekonomik. Dyshimet janë se djali i viktimës e ka mbajtur trupin në frigorifer për vite me radhë, në mënyrë që të mos deklaronte vdekjen dhe të vazhdonte të përfitonte pensionin që i takonte të atit.

Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë nisur verifikimin e llogarive bankare dhe të gjitha lëvizjeve financiare, për të përcaktuar nëse pensioni është tërhequr rregullisht edhe pas vdekjes së të moshuarit dhe në çfarë shume arrin përfitimi i dyshuar.

Rasti u zbulua pas një sinjalizimi të mbërritur te policia. Pas denoncimit, efektivët morën në pyetje djalin e viktimës dhe më pas kryen kontroll në hotelin e mbyllur, ku gjatë inspektimit në bodrum gjetën frigoriferin ngrirës me trupin brenda.

Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë marrë në dorëzim trupin për kryerjen e ekspertizës, e cila pritet të përcaktojë kohën e saktë dhe shkakun e vdekjes. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar përgjegjësitë penale të personave të përfshirë.